
Policia Rrugore, me anë të një deklarate për mediat, u bëri thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes në rrugë, sidomos gjatë fundjavave dhe ditëve të festave.
“Duke kërkuar që çdo drejtues mjeti në radhë të parë të kujdeset më shumë për jetën e tij dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës, Policia Rrugore informon se do të ketë prezencë të shtuar në akset rrugore, për të mbikëqyrur trafikun, për të parandaluar shkeljet dhe aksidentet dhe për të informuar dhe ndihmuar çdo përdorues rruge të mbërrijë i sigurt në destinacionin e tij, dhe nga ana tjetër nuk do të tolerojë asnjë shkelje të kodit rrugor.
• Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve të mos drejtojnë mjetet nën efektin e alkoolit.
• Gjatë fundjavës apo në festa, në rast se drejtuesit e automjeteve dëshirojnë të konsumojë alkool, Policia Rrugore ju këshillon përdorimin e një mjeti taksi që në çdo rast kushton më lirë!
• Vendosni rripin e sigurimit dhe detyroni edhe pasagjerët për ta vendosur atë.
• Kur udhëtoni me motomjete vendoseni ju dhe detyroni pasagjerin të vendosë kaskën në kokë e jelekët fosforeshentë, që të bëheni të dallueshëm në trafik në kushtet e errësirës.
• Evitoni parakalimet e gabuara dhe sjelljet agresive në rrugë.
• Qëndroni në radhën e mjeteve kur ajo krijohet për shkak të ngarkesës së madhe, dalja nga “kolona” mund t’ju kushtojë “një fotografi” falas dhe një gjobë së bashku me pezullimin e lejes së drejtimit për disa muaj.
• Mos drejtoni mjetin me shpejtësi tej normave të lejuara, çdo shkelje e tejkalim i saj sjell pasoja mbi jetën në rastin më të keq, dhe në rastin më të mirë zbraz kuletën më shumë”.
Më tej, theksohet se Policia Rrugore do të përdorë të gjitha mjetet logjistike si kamera, dronë, radarë, alkooltestues, makina të paloguara dhe me aparate fotografike, për të evidentuar dhe dokumentuar çdo shkelje të qarkullimit rrugor.
“Për të udhëtuar dhe për të mbërritur të sigurt në destinacion nuk mjafton vetëm puna e Policisë, por kontributi i gjithsecilit. Në këtë kuadër, Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo shkelje të Kodit Rrugor, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe një reagim të shpejtë dhe profesional”. (A2 Televizion)