
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi se vendimi “i hetuesit të komunzimit, Arben Kraja për të mos lejuar SPAK-un të hetojë Edi Ramën, Damian Gjiknurin, Pjerin Ndreun apo Ulsi Manjën për vjedhjen e zgjedhjeve në Dibër është vendim politik dhe kundër interesave të Shqipërisë”.
“Hetimi i dosjeve ku janë përfshirë zyrtarë të lartë, siç është kryeministri dhe disa deputetë të PS është detyrë ekskluzive e SPAK-ut. Prokuroria e Posaçme u ngrit për t’i dhënë fund pandëshkueshmrisë së politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, por akti i sotëm i shërbëtorit të Edi Ramës në krye të SPAK-ut godet çdo pritshmëri se Arben Kraja mund të sillej ndryshe nga Donika Prela, përsa kohë padroni i tyre është në krye të qeverisë. Duke ridërguar dosjen 184 në Dibër, drejtuesi i SPAK-ut praktikisht ka varrosur hetimin e një krimi të dokumentuar zgjedhor, i cili është kusht i Bundestagut gjerman për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, shprehet Bardhi.
Bardhi shtoi se “Arben Kraja ka detyrim të japë sot sqarime publike pse i mohoi SPAK-ut mundësinë e hetimit të Edi Ramës dhe shpurës së tij për vjedhjen e zgjedhjeve në Dibër”. (A2 Televizion)