Rajoni i Donjetsk është objektivi i ri i ushtrisë ruse, pasi presidenti Vladimir Putin shpalli fitoren në Luhanskun fqinj dhe lufta 5-mujore hyri në një fazë të re. Pushtimi i qytetit të Lysycansk ditën e diel shënoi rënien e plotë të Luhanskut, një prej 2 rajoneve të zonës së industrializuar të Donbasit në lindje të Ukrainës, i cili është bërë fushëbeteje e luftimeve më të përgjakura në Europë, në shumë dekada.
Të dyja palët kanë vuajtur humbje të mëdha veçanërisht gjatë përleshjeve në qytetet strategjike të Lysycansk dhe Severodonetsk.
“Qyteti i Lysycansk nuk ekziston më. Ai praktikisht është fshirë nga faqja e dheut”, thotë një banore. Forcat ukrainase janë grumbulluar përgjatë vijave të reja të mbrojtjes në Donetsk ku ende kontrollojnë qytetet më të mëdha, ndërsa Putin u ka thënë trupave të pushojnë dhe të marrin veten në prag të ofensivës së re.

Njësitë në zonat e tjera vijojnë luftën me forcat ruse bombarduan qytezat e Sloviansk dhe Kramatorks gjatë natës. Sulme me raketa u raportuan edhe në qytetin jugor të Mikolaiv. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha në videomesazhin e fundit se forcat e armatosura vijojnë t'i rezistojnë sulmeve të pushtuesve për të mbrojtur pavarësinë e vendit.
Ai paralajmëroi se fonde kolosale prej 750 miliardë dollarësh duheshin për rindërtimin e qyteteve e çliruara nga rusët.
“Forcat ukrainase kanë çliruar më shumë se një mijë vendbanime nga pushtuesit. Të gjitha kanë pësuar shkatërrime të mëdha. Dhe kjo nënkupton gjithashtu nevojën për fonde kolosale për restaurimin e infrastrukturës, për rikthimin e barnave dhe shërbimeve sociale, për rivendosjen e jetës normale ekonomike. Vetëm në zonat e çliruara ka dhjetëra mijëra shtëpi të shkatërruara”, ishin fjalët e kryeministrit ukrainas.

Rusia sakaq njoftoi hapjen e dy korridoreve në Detin e Zi dhe Azov për të lehtësuar eksportin e grurit. Ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, tha se po marri një sërë masash për të garantuar sigurinë e lundrimit në ujërat e Detit të Zi dhe Azov dhe se rreziku i minave është eliminuar plotësisht. (A2 Televizion)