
Ajo që duhej të ishte një ditë feste është kthyer në tragjedi në Highland Park të Ilinoisit. Gjashtë persona u vranë në një sulm me armë zjarri, teksa shijonin paradën e 4 korrikut në periferi të Çikagos. Agresori, i identifikuar si Robert E Crimo, hipi në tarracën e një dyqani dhe hapi zjarr pa dallim ndaj mijëra spektatorëve duke përdorur një pushkë. 22-vjeçari mundi të arratisej, por pas një ndjekjeje të shkurtër nga policia u vu pranga.
Ky është i fundit në serinë e sulmeve masave që kanë goditur Shtetet e Bashkuara. Në një fjalim, presidenti amerikan tha se liria ishte nën sulm por u zotua se do të vazhdonte luftën kundër asaj që e quajti, epidemia e dhunës me armë zjarri.
“Kohët e fundit kam nënshkruar legjislacionin e parë të rëndësishëm dypartiak për reformën ndaj armëmbajtjes në pothuajse tridhjetë vjet që ka hyrë në ligj, i cili përfshin veprime që do të shpëtojnë jetë njerëzish. Por ka shumë më tepër punë për të bërë dhe unë nuk do të heq dorë nga lufta kundër epidemisë së dhunës me armë. 4 korriku na gjen në një moment kritik. Liria është nën sulm, si këtu ashtu edhe jashtë vendit”, tha presidenti Biden.
22-vjeçari që dyshohet të jetë autor i sulmit filloi të qëllonte me breshëri plumbash, rreth orës 10 e 15 minuta, pak pasi kishin nisur parada. Por ajo që duhej të ishte një prej ditëve më të bukura u kthye shpejt në skena paniku, me qytetarët që filluan të vraponin të tmerruar.
Disa dëshmitarë thanë se kishin menduar që krismat ishin zhurmë fishekzjarrësh. 5 të rritur u vranë në vend, ndërsa një person i gjashtë humbi jetën më vonë në spital. Të paktën 24 persona mbetën të plagosur. Policia u bëri thirrje qytetarëve të largoheshin nga zona, ndërsa nisën kërkimet për vrasësin.
Autori o dyshuar u arrestua më vonë, teksa përpiqej të arratisej me automjetin e tij. Imazhet që qarkulluan në rrjetet sociale tregojnë karrige të përmbysura, karroca e çanta të braktisura në rrugët e njollosura me gjak. (A2 Televizion)