
Së shpejti dhe dy flamurë të tjerë do të shtohen në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel. Aleanca ushtarake nisi zyrtarisht procesin e pranimit të Suedisë dhe Finlandës, pasi përfaqësuesit e tyre firmosën protokollet e anëtarësimit. Sekretari i përgjithshëm, Jens Stoltenberg, i dha një peshë të madhe këtij zhvillimi dhe e konsideroi garanci të shtuar për sigurinë në mbarë globin.
“Është një ditë historike për Finlandën dhe Suedinë, gjithashtu edhe për NATO-n. Me 32 shtete përreth tryezës, ne do të jemi edhe më të fuqishëm dhe njerëzit tanë do të jenë më të sigurt, teksa përballemi me krizën më të madhe të sigurisë në dekada”, tha Soltenberg.
Ministrat e jashtëm të vendeve nordike ishin të pranishëm në ceremoni. “Së bashku në jemi më të fuqishëm në mbrojtjen e rregullave të rendit ndërkombëtar dhe parimet e demokracisë, lirisë dhe sundimit të ligjit”, tha ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto. “Si anëtar i ardhshëm i aleancës, Suedia do të kontribuojë në sigurinë e të gjithë aleatëve”, tha ministrja suedeze, Ann Linde.
Pranimi i Suedisë dhe Finlandës tani duhet të ratifikohet nga parlamentet e të gjitha vendeve anëtare të NATO-s, një proces që normalisht mund të zgjasë deri në një vit. Por shpresa është që shtetet e aleancës të veprojnë shpejt për shkak të asaj që po ndodh në rajon. Finlanda dhe Suedia i dhanë fund neutralitetit të tyre ushtarak në tentativë për të shtuar garancitë e sigurisë përballë kërcënimit nga Rusia, që ka nisur një luftë në Ukrainë. Fillimisht pengesë për pranimin e tyre në NATO u bë Turqia, por në samitin e fundit në Madrid palët arritën një ujdi, duke bërë që vetoja të hiqej. (A2 Televizion)