Rusët sjellin divizionin e sulmit, qyteti simbol i rezistencës ukrainase pothuajse i rënë

Nga A2 CNN
28 Shkurt 2023, 11:47 | Bota

Beteja për kontrollin e qytetit të fortifikuar të Bakhmutit, në rajonin e Donjetskut, është një nga ngjarjet më të ndjekura të konfliktit ukrainas, pasi shpalos të dyja ushtritë në një terren të hapur dhe në kontakt të afërt njëra me tjetrën.

Qyteza është çelësi për forcat e Moskës për të marshuar më vonë në qytetet e pakta të mbetura të atij rajoni, si Kramatorsk, duke kontrolluar edhe autostradën Kiev-Donjetsk që kalon aty.

Për këtë arsye, Kievi ka vendosur ta mbrojë me çdo kusht, edhe duke marrë parasysh numrin e lartë të ushtarëve që bien viktima çdo ditë.

Falë fortifikimeve të shumta, ushtarët rus dhe veçanërisht mercenarët e grupit Wagner arrinin të përparonin vetëm disa metra në ditë, por situata duket sikur po ndryshon, aq sa disa analistë mendojnë se qyteti mund të cilësohet si i rënë, pas 3 muajsh mbrojtje.

Rusët po përparojnë duke çarë linjat ukrainase, ndërkohë që raportohet se njësitë speciale ruse kanë mbërritur në afërsi të qendrës së qytetit.

Shkatërrimi në Bakhmut

Situatën e vështirë e ka pohuar vetë presidenti Zelensky, që flet për një situatë "gjithmonë e më të vështirë” aty, ashtu si dhe komandanti i forcave ukrainase, gjenerali Oleksander Syrskyi.

Suksesi i rusëve në ditët e fundit nuk varet vetëm nga lodhja e ukrainasve, që ende nuk kanë marrë furnizimet e armëve perëndimore, por edhe nga një riorganizim i njësive ruse.

Situata e përditësuar në Bakhmut. Burim: Institute of War

Një dokument i kapur nga forcat ukrainase tregon krijimin e një divizioni për sulm enkas për këtë fushëbetejë, i përbërë nga forca me eksperiencë dhe e strukturuar më së miri me tanke, toga të specializuara për dronët dhe të tjera që mbajnë armë termobarike. Një strukturë komplekse që ishte e panjohur te forcat ruse në muajt e parë të luftës, defekt që solli humbje turpëruese për Moskën.

Të dërguarit e Uashingtonit i kanë këshilluar disa herë në muajt e fundit Kievit një tërheqje strategjike nga ky qytet, por Zelensky mendon se një tërheqje do të ulte tejmase moralin e forcave që po sakrifikojnë ditë e natë për mbrojtjen e vendit të tyre. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/01/24/braktis-bakhmutin-amerikanet-po-bindin-zelenskyn-te-perqendrohet-ne-jug/
https://a2news.com/2023/02/27/beteja-per-bakhmutin-video-e-prites-se-ushtrise-ukrainase-ndaj-tankeve-ruse/

A2 CNN Livestream

Latest Videos