
Një biznesmen rus është arrestuar në Malpensa të Milanos pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mediat italiane bëjnë të ditur se, Artem Uss, është djali i guvernatorit të territorit të Krasnoyarsk. Ai është në mesin e 5 të arrestuarve rusë të kërkuar nga FBI dhe akuzohen për shmangie të sanksioneve dhe pastrim parash.
Konfirmimi i arrestimit erdhi nga ambasada e Federatës Ruse në Facebook. "Furnizimi i produkteve të naftës, pajisjeve publike dhe mjeteve teknike, të shitura dhe të blera lirisht në të gjithë botën, shpallet papritur i paligjshëm nga autoritetet amerikane. Pse? Vetëm sepse bëhet për të mirën e Rusisë. Konotacioni politik i këtyre akuzave është i qartë”, shkroi guvernatori Alexander Uss në Telegram.
Shtatë persona janë në shënjestër të Shteteve të Bashkuara, përveç pesë shtetasve rusë, ka edhe dy tregtarë venezuelianë të naftës dhe të gjithë akuzohen për shmangie të sanksioneve dhe pastrim parash. Dymbëdhjetë akuza rëndojnë mbi rusët Yury Orekhov, Artem Uss, Svetlana Kuzurgasheva, Timofey Telegin dhe Sergey Tulyakov dhe tregtarëve venezuelanë të naftës Juan Fernando Serrano Ponce dhe Juan Carlos Soto. Sipas hetuesve amerikanë, të pandehurit janë të përfshirë në "orkestrimin e një sistemi kompleks për të marrë në mënyrë të paligjshme teknologjinë ushtarake amerikane dhe naftën e sanksionuar nga Venezuela".
Sipas Departamentit Amerikan të Drejtësisë, Orekhov dhe Uss u arrestuan në Gjermani dhe Itali më 17 tetor dhe do t'i nënshtrohen procedurës së ekstradimit. Nëse shpallen fajtorë, të pandehurit përballen me një maksimum prej 30 vitesh burg.
Administrata amerikane ka zgjeruar listën e sanksioneve anti-ruse, duke shtuar një shtetas rus dhe dy kompani të lidhura me bazë në Gjermani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, tha Departamenti Amerikan i Thesarit. (A2 Televizion)