
Kryeministrja britanike Liz Truss është dorëhequr vetëm gjashtë javë pasi mori detyrën. Në një fjalim tepër të shkurtër jashtë rezidencës qeveritare, liderja e konservatorëve tha se po largohet pasi nuk është në gjendje të përmbushë premtimet, me të cilat erdhi në pushtet. Kështu ajo bëhet kryeministrja më jetëshkurtër e Mbretërisë së Bashkuar, vetëm 45 ditë në detyrë. Fajin ia la paqëndrueshmërisë së madhe ekonomike dhe ndërkombëtare, luftës së Rusisë si dhe pamundësisë për të mbështetur një rritje të madhe ekonomike për vendin.
“Ne adresuam çështjen e faturave energjetike, ulëm normat e sigurimit shoqëror dhe përcaktuam një vizion me taksa të ulëta, rritje të madhe ekonomike duke përfituar nga liritë që solli Brexit. Por duke pranuar rrethanat dhe situatën aktuale, unë nuk mund të përmbush mandatin me të cilin u zgjodha nga Partia Konservatore”, tha Truss.
Jashtë rezidencës kryeministrore, ajo njoftoi se dorëheqjen e ka dorëzuar tek Mbreti Charles III dhe se Partia Konservatore do të mbajë zgjedhje për lidershipin brenda një jave. Ndër kandidatët potencialë për ta zëvendësuar vlerësohen emra si Rishi Sunak dhe ministri aktual i mbrojtjes Ben Wallace, ndërsa nuk përjashtohet as një kthim i mundshëm i Boris Johnson.
Ky zhvillim erdhi pas krizës së brendshme në kabinetin qeveritar që shpërtheu nga synimet për uljen e rrezikshme të taksave dhe planet financiare të Truss që tronditën tregjet. Shkarkimi i ministres së saj të financave javën e kaluar nuk i mundësoi Truss që t’i mbijetonte valës së re të rebelimit.
Dorëheqja e ministres së Brendshme, Suela Braverman, ishte dhe goditja e fundit për të, ndërsa edhe ministra të tjerë ishin bërë gati ta ndiqnin në valën e largimeve nga kabineti. Ndërkohë, menjëherë pas dorëheqjes, lideri i opozitës Laburiste, Sir Keir Starmer, bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme parlamentare, si mundësia e vetme që nxjerr vendin nga kriza. (A2 Televizion)