Riaktivizohet procesi i Berlinit, ministeriale përgatitore me Ballkanin Perëndimor

Nga A2 CNN
20 Tetor 2022, 15:22 | Bota
Riaktivizohet procesi i Berlinit, ministeriale përgatitore me Ballkanin

Tre ministeriale me vendet e Ballkanit Perëndimor zhvillohen këto ditë në Berlin me synimin për të riaktivizuar procesin e Berlinit, por në vëmendje do të jenë edhe çështje të tjera. Siguria e brendshme dhe migracioni i paligjshëm do të jenë në fokus të konferencës së parë ministrore të Ballkanit Perëndimor në Berlin, ku krahas ministrave të Brendshëm të gjashtë vendeve te rajonit, do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e dhjetë vendeve të tjera pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit.

Gjermania po përballet me një fluks të madh emigracioni të paligjshëm, me autoritetet që fajësojnë për situatën, hyrjen e emigrantëve përmes itinerarit ballkanik. Shqetësim ka veçanërisht për politikat liberale e vizave të Serbisë ndaj 25 shteteve, për qytetarët e të cilëve BE-ja kërkon viza.

Megjithatë, qëllimi kryesor i mbledhjes së ministrave të Punëve të Brendshme është përgatitja për Samitin e Procesit të Berlinit, më 3 nëntor. Në kuadër të këtij procesi, të premten, do të zhvillohet, konferenca e ministrave të Jashtëm e cila do të fokusohet kryesisht te ndërmarrja e hapave konkretë për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht me synimin për krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal.

Tema të tjera përfshijnë sigurinë energjetike dhe agjendën e gjelbër, që do të trajtohen edhe në ministerialin e tretë të ministrave të Energjisë, ditën e hënë në Berlin.

Sipas burimeve të DW, shpresohet që në samit të arrihet progres për së paku tre prej katër marrëveshjeve të dakordësuara që në Samitin e Sofjes, në nëntor të vitit 2020: Lëvizja e lirë me karta identiteti e shtetasve të Ballkanit Perëndimor, njohja e diplomave të shkollave të larta, si edhe njohja e kualifikimeve për tri profesione, mjekët, stomatologët dhe arkitektët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos