
Qytetarët e Zaporizhias në jug të Ukrainës, u zgjuan të tmerruar këtë të enjte, kur Rusia lëshoi një seri raketash ende pa zbardhur dita. Në shënjestër ishte infrastruktura civile, me blloqe apartamentesh që u shkatërruan dhe përfshinë nga flakët kur banorët ishin ende në gjumë.
Të paktën 2 gra kanë humbur jetën në sulm, disa persona kanë mbetur të plagosur, e të tjerë thuhet të jenë bllokuar në rrënoja. Në një postim në Telegram, kreu i administratës rajonale ushtarake Oleksandr Starukh, u kërkoi qytetarëve të qëndrojnë në vendstrehime, mes raportimeve për sulme të reja. “Pushtuesit lëshuan raketa në qendrën rajonale duke shënjestruar infrastrukturën civile. Shkalla e shkatërrimit dhe numri i viktimave duhen ende të sqarohen. Kërkoni vendstrehime!”, tha ai.
Qyteti i Zaporizhias është ende në duart e Kievit, edhe pse Moska shpalli aneksimin e paligjshëm të rajonit javën e kaluar. Sulmet ndaj infrastrukturës civile sipas Ukrainës, janë mënyra e pushtuesve për tu hakmarrë ndaj disfatave në fushëbetejë.
Ndërsa forcat e Kievit kanë avancuar në zonat e pushtuara, në Kherson, Donetsk dhe Luhansk duke i marrë nga duart territore strategjike rusëve, këta të fundit janë kundërpërgjigjur duke sulmuar stacione elektrike, hidrike e godina banimi. Dronë kamikazë u përdorën një ditë më herët në rajonin e Kievit. Në një fjalim ditën e mërkurë, presidenti Vladimir Putin u zotua se situata në 4 rajonet e aneksuara do të stabilizohej, ndërsa zëdhënësi i tij Dmitry Peskov tha më herët se do të rimerrnin shpejt territoret e humbura. (A2 Televizion)