
Rusia ka zbuluar se anija hapësinore e së ardhmes do të mund të dërgojë njerëzit në planetin Mars, duke u futur kështu në garë me sipërmarrësit privatë si Elon Musk dhe Jeff Bezos. Anija ruse do të punojë me motorë me energji bërthamore dhe sipas Roscosmos – Agjencisë Hapësinore Ruse – do të ofrojë mundësinë e udhëtimeve të shpejta mes planetëve të ndryshëm.
Roscosmos publikoi një koncept të anijes së teknologjisë së lartë, por nuk dha një datë të saktë se kur anija mendohej të niste fluturimin e parë. Gjithsesi ajo është momentalisht duke u zhvilluar në Qendrën Kërkimore Keldysh.
Udhëtimi hapësinor përmes energjisë bërthamore do të revolucionarizonte përpjekjen njerëzore për të udhëtuar në planetët e sistemit tonë diellor. Shkencëtarët momentalisht po eksperimentojnë me lloje të ndryshme karburantesh, si kimikate apo motorë elektrikë që karikohen me bateri me energji diellore. Por këto mënyra janë tepër të ngadalta, çka do të përbënte problem për astronautët që do të udhëtonin në këto anije.
“Një njeri nuk duhet të kalojë më shumë se një ose dy vjet në hapësirë”, thotë Vladimir Koshlakov, drejtuesi i Qendrës Keldysh. “Ndërsa anijet me energji bërthamore do të udhëtonin shumë më shpejt dhe më e rëndësishmja, do të siguronin kthimin në shtëpi. Këto udhëtime do të jenë realitet në një të ardhme të afërt”.
Kjo nuk është hera e parë që Rusia eksperimenton me teknologjinë bërthamore për udhëtimet hapësinore. Mes viteve 1970 dhe 1988, ish-Bashkimi Sovjetik hodhi në hapësirë 32 anije kozmike me reaktorë bërthamorë termoelektrikë. (A2 Televizion)