
Ministria ruse e Mbrojtjes ka pranuar se 1351 ushtarë kanë humbur jetën dhe 3825 janë plagosur, që prej nisjes së atij që Moska e quan “operacion ushtarak special” në Ukrainë, raportoi agjencia ruse e lajmeve, Interfax.
Shifrat e fundit të publikuara nga rusët ishin në fillim të marsit, ku raportonin për gati 498 ushtarë të vrarë dhe rreth 1500 të plagosur.
Shifra bie në kundërshtim me pretendimet e palës ukrainase, që thotë se mbi 15 mijë ushtarë rusë kanë humbur jetën në luftime. Ndërsa shërbimet amerikane të inteligjencës vlerësojnë se numri i ushtarëve të vrarë është mbi 7000.
Ministria e Mbrojtjes tha gjithashtu se operacioni - i dënuar gjerësisht në arenën botërore - do të vijojë deri në përmbushjen e objektivave të vendosura nga Presidenti Vladimir Putin. (A2 Televizion)