
Viktimat e Covid-19 në Moskë janë më shumë se dyfishi i shifrës zyrtare. Departamenti shëndetësor i kryeqytetit rus rishikoi bilancin, duke thënë se jetët e humbura gjatë muajit prill janë mbi 1500 dhe jo 639 sa pretendohej.
Vdekjet e reja u konfirmuan pas testeve post-mortum. Megjithatë, autoritetet theksojnë se të dhënat përfshijnë edhe rastet më kontroverse e të debatuara. Gazetarë në Moskë kishin denoncuar më herët shifrat shumë të ulta, por u akuzuan për përhapjen e lajmeve të rreme.
Rusia ka aktualisht rreth 380 mijë raste të konfirmuara me koronavirus, duke u renditur e treta pas Shteteve të Bashkuara dhe Brazilit. Por, pavarësisht numrit të lartë të infektimeve, bilanci zyrtar flet për vetëm 4 100 viktima.
Qeveria pretendon se programi masiv i testimit në vend është përgjegjës për nivelin e ulët të vdekshmërisë, por shumë besojnë se shifra është shumë më e lartë. Edhe me rishikimin e bilancit në Moskë, niveli i vdekshmërisë në qytet mbetet nën 3%. (A2 Televizion)