
Sirenat e alarmit kumbuan në kryeqytetin e Ukrainës dhe 11 rajone të tjera. Ushtria ruse lëshoi një breshëri sulmesh ajrore, duke shënjestruar në shumicën e rasteve infrastrukturë civile, përfshirë në Odesa, Zaporizhia dhe Harkiv.
Forcat ukrainase njoftuan se kanë rrëzuar 5 nga 10 dronët kamikazë iranianë të lëshuar nga ushtarët e Putinit në Kiev. Në kryeqytet nuk ka pasur raportime për viktima apo të lënduar. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për bombat ruse që shpërthyen në Donjeck, ku u morën jetën 2 civilëve dhe plagosën mbi 10 të tjerë.
Zyrtarët në Kiev akuzojnë Moskën se ka përdorur bomba thërrmuese në qytetin Kostiantinvka të Donjeckut duke vrarë një civil dhe plagosur dhjetra të tjerë. Një akuzë tjetër e lëshuar në drejtim të Rusisë është se po shkelin protokollet e sigurisë në impiantin bërthamor të Zaporizhias.
Gjithashtu pretendohet se ushtarët rusë po grabisin magazinat e grurit në lindje të Ukrainës. Moska nuk komenton këto akuza, ndërsa thekson se marina detare ka shmangur një sulm të Ukrainës ndaj një anije që lundronte në detin e Zi. Kremlini bën me dije se për momentin nuk do të ketë kthim në marrëveshjen për grurin.
Zëdhënësi Dmitry Peskov foli edhe për takimin mes presidenti Vladimir Putin me homologun bjellorus Aleksandër Lukashenko. Ai konfirmoi se kryetemë e diskutimeve ka qenë grupi Wagner, konkretisht zhvendosja e tyre për në Bjellorusi pas rebelimit të armatosur të ndërprerë në gjysmë. Dy liderët kanë biseduar mes tjerash edhe për sigurinë, bashkëpunimin ekonomik dhe për kërcënimet përgjatë kufijve të të dyja shteteve. (A2 Televizion)