
Policia izraelite u përlesh me turmën e protestuesve gjatë natës, pasi parlamenti miratoi një ligj kontrovers për të kufizuar fuqitë e Gjykatës së Lartë. Masa e cila është pjesë e një pakete të madhe reformash, do të ndalojë gjykatën të përmbysë vendimet e qeverisë, të cilat I konsideron si të paarsyeshme.
Policia në Jerusalem dhe Tel Aviv hodhi ujë për të shpërndarë turmën e manifestuesve që bllokuan autostradat. Të paktën 22 persona u vunë në pranga.
Protestat mbi reformën në gjyqësor, e cila sipas kritikëve kërcënon demokracinë izraelit, zhvillohen prej disa muajsh duke u shndërruar mes më të mëdhave në histori. Por pavarësisht kundërshtive, masat u miratuan në parlament ditën e hënë, me një votim final prej 64 votash pro dhe zero kundër.
Të gjithë pjesëtarët e koalicionit të kryeministrit Benjamin Netanjahu votuan në favor ndërsa ligjvënësit e opozitës braktisën sallën, në shenjë proteste, teksa thërrisnin “turp”. Netanjahu këmbëngul se ligji është I nevojshëm, edhe pse lë të hapur mundësinë për bisedime me opozitën, për një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Një grup mbikëqyrës politik dhe lideri i opozitës Yair Lapid planifikojnë të dorëzojnë një peticion në Gjykatën e Lartë për të anuluar ligjin. Sakaq, konfederata e sindikatave në vend ka kërcënuar me grevë të përgjithshme, ndërsa mijëra rezervistë ushtarakë, përfshirë pilotë të forcave ajrore kanë paralajmëruar të pezullojnë shërbimin nëse ligji do të lihet në fuqi. (A2 Televizion)