
Një ditë pasi Moska paralajmëroi se do të intensifikonte sulmet në Kiev, pasi trupat ukrainase po shënjestronin territoret kufitare ruse, shpërthime u dëgjuan në kryeqytet dhe në qytetin perëndimor të Lviv.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, tha se shpërthimet u shënuan në qarkun Darnitski, në periferi të qytetit. Zëdhënësi i ministrisë së Mbrojtjes foli për shkatërrimin e 16 shënjestrave armike, përfshirë pajisje, fabrika dhe depo armësh. Raketa u lëshuan edhe në aeroportin e Oleksandrias, ndërsa në Mykolaiv, ku bombardimet vazhdojnë u konfirmuan 5 viktima.
Sulmet ndërmerren pas shkatërrimit të një prej luftanijeve kryesore të ofensivës ruse në Detin e Zi. Edhe pse Moska këmbëngul se kryqëzori Moskvo ishte fundosur për shkak të një shpërthimi aksidental, Shtetet e Bashkuara konfirmuan versionin e Ukrainës, pra se luftanija ishte qëlluar nga 2 raketa Neptun të trupave të Kievit.
Ushtria ruse pretendon se ka marrë kontrollin e plotë të fabrikës së hekurit dhe çelikut, Ilyich, në Maripuol, një prej zonave të fundit ende në duart e trupave të Ukrainës. Imazhe të realizuara nga Reuters të premten treguan dëmtime rreth fabrikës dhe një sërë trupash te shtrirë në një rrugë të afërt.
Pushtimi i qytetit strategjik jugor do të ishte një fitore e rëndësishme për Moskën, e cila do të mund të krijonte një korridor tokësor mes rajonit të Donbas dhe Krimesë së aneksuar në 2014-tën. Megjithatë shefi i Shtabit të forcave të Kievit thotë se beteja për qytetin vazhdon.
Sipas presidentit Volodymyr Zelensky, deri më tani 2500 deri në 3 mijë ushtarë ukrainas janë vrarë në luftë dhe të paktën 10 mijë janë plagosur. Sakaq, OKB vlerëson se mbi 1900 civilë janë vrarë që prej nisjes së agresionit rus në Ukrainë, edhe pse paralajmëron se shirat reale mund të jenë shumë më të larta. (A2 Televizion)