
Katër ditë pasi kërkoi arrestimin e tij, SPAK, ia ka dalë të mbajë në qelitë e paraburgimit ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka. Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme, Erion Bani vendosi të mos ndryshojë masën e sigurisë “arrest në burg” të dhënë në mungesë ndaj tij.
Në këtë mënyrë, ish-ministri do të qëndrojë në burg teksa do të hetohet për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, “korrupsioni” dhe “pastrimit të parave”, të kryera sipas SPAK gjatë procedurës tenderuese për iceneratorin e Elbasanit.
Jashtë sallës së gjyqit, avokati i tij pretendoi mungesë përgjegjësie ligjore të klientit dhe ngjyresa politike të çështjes.
Sipas SPAK, në cilësinë e ministrit të Mjedisit, Koka ka shkelur ligjin gjatë procedurës për dhënien me koncesion të iceneratorit të Elbasanit tek shoqëria “Albtech Energy” dhe se ka përfituar gati 3.7 milionë euro ryshfet.
GJKKO lëshoi fletë arreste edhe për biznesmenët Klodian Zoto e Stela Gugallja, administratorët e shoqërisë që mori koncesionin dhe asaj që zbatoi punimet, të cilët ende nuk janë gjetur nga policia. (A2 Televizion)