I dënuar me 8 vite burg, dorëzohet ish-shefi i krimeve në Policinë e Vlorës

Nga A2 CNN
16 Dhjetor 2021, 09:25 | Kronikë
I dënuar me 8 vite burg, dorëzohet ish-shefi i krimeve në

Ish-shefi i krimit të organizuar në Policinë e Vlorës, Gjergji Kohila,i dënuar me 8 vite burg si pjesë e grupit Habilaj, është dorëzuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës mbrëmjen e së mërkurës.

Më 1 dhjetor, Kohila u shpall fajtor për akuzat e “trafikut të narkotikëve” dhe “grup i strukturuar kriminal”. Gjykata e Posaçme e dënoi me 12 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul automatikisht në 8 vite. Dënimi ishte i njëjtë me atë që SPAK kishte kërkuar për Kohilën.

I bashkëpandehuri tjetër i çështjes, Sokol Bode, po gjykohet në një proces të veçuar, për shkak se gjyqi ndaj tij zhvillohet me procedurë të zakonshme.

Ndërkohë, pas vendimit të Gjykatës së Lartë, çështja në ngarkim e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe ish-drejtuesit të Policisë Vlorë, Jaeld Çela, është regjistruar pranë Gjykatës se Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

https://a2news.com/2021/12/01/gjykata-e-posacme-denon-me-8-vite-burg-ish-zyrtarin-e-policise-se-vlores/

Kur vendosi të rikthejë edhe njëherë për gjykim në Apel çështjen e ish-ministrit të Brendshëm, Gjykata e Lartë vendosi që këtë herë çështjen ta drejtojë një tjetër trupë gjykuese, duke miratuar kërkesën e avokatit të Tahirit, Maksim Haxhia. Gjatë dëgjimit të pretendimit të palëve në seancë, SPAK kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Apelit, që nga ana e tij kishte vendosur për kthim të çështjes në gjykim në Shkallë të Parë.

Rekurs për çështjen ka bërë edhe prokuroria, e cila i qëndron kërkesës për dënimin e Tahirit me 12 vite burg për “trafik narkotikësh” dhe “grup të strukturuar kriminal”. Sipas prokurorisë, Tahiri dhe i bashkëpandehuri i tij, Jaeld Çela, kanë garantuar grupin e “Habilajve” në trafikun e sasive të mëdha të kanabisit nga Shqipëria në Itali. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos