Pamja që të ofron Lini teksa zbret rrugën nga Qafë Thana, ka shtyrë shumë turistë vendas dhe të huaj që të vizitojnë fshatin turistik buzë liqenit të Ohrit. Por ajo me të cilën ndeshen turistët në rrugët e fshatit dhe në bregun e liqenit, nuk është aspak tërheqëse.
Kanalizimet e ujërave të zeza të fshatit janë të hapura dhe derdhen anës rrugicave dhe banesave. Edhe vetë banorët e zonës e kanë këtë shqetësim.
“Vetëm ujërat e zeza të futen dhe s’duam gjë tjetër”, thotë një banore. “Njëqind herë kanë ardhur këtu, asgjë nuk kanë bërë”, tregon një tjetër.

Për kryeplakun e fshatit, kanalizimi i ujërave të zeza është një investim që duhej bërë me kohë, pasi po zbeh jo vetëm pamjen e mrekullueshme të Linit, por edhe mikpritjen dhe kulinarinë që ofron zona.
“Fati i mirë është që turistët po vijnë vazhdimisht. Por kur hyjnë nëpër sokakë është katastrofë. Është nevojë urgjente. Turistët kur vijnë, disa raste që di unë, sa kanë parë këtë, kanë ikur të lemerisur. Ka filluar të zhduket flora dhe fauna e liqenit”, thotë Gafur Avdullari.
Lini është pjesë e projektit të qeverisë për 100 fshatrat turistikë të vendit, por ende nuk është bërë asnjë investim që të mbështesë turizmin familjar dhe natyror në këtë zonë. (A2 Televizion)