
Silva Caka, Sekretare për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, e ftuar në studion e “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, deklaroi se lajmi që Ilir Meta rezulton në shkresat e krijuara nga ish-Sigurimi i Shtetit, bëhet vetëm për të hequr vëmendjen nga afera e inceneratorëve.
“Është turp i madh që Autoriteti i Dosjeve paguhet nga taksat e qytetarëve. Alarmon një institucion si Kuvendi dhe krijon “furtunë” mediatike dhe politike për hiçgjë. Sepse ne jemi të qartë që aty nuk ka një dosje, por materiale të krijuara. Zoti Meta e ka sqaruar vetë gjithçka”, tha Caka.
“Sa herë që Ilir Meta bëhet gati për t’u hedhur në betejën politike, këta nxjerrin nga një histori shumë të çuditshme. Radha i erdhi spiunazhit. Në 5 vitet e fundit si President, është e qartë se kush e ka sulmuar politikisht. Arsyeja e vetme që është bërë kjo është shmangia nga afera e inceneratorëve. Kjo aferë do të “djegë” edhe kryetaren e Autoritetit të Dosjeve”, shtoi Silva Caka. (A2 Televizion)