Salianji: Kaluam objektivat në Korçë, por procesi u manipulua. Ne do të jemi në çdo front

Nga A2 CNN
6 Maj 2021, 09:04 | Politikë
Salianji: Kaluam objektivat në Korçë, por procesi u manipulua.

Drejtuesi politik i PD-së në Qarkun e Korçës për zgjedhjet e 25 prillit dhe më i votuari në këtë qark nga kjo parti, Ervin Salianji, ishte i ftuar mëngjesin e sotëm në "Dita jonë".

Sa i përket rezultatit të PD-së në këtë qark, ai u shpreh se ka qenë përtej objektivave. “Është shumë e rëndësishëm të marrësh kaq shumë vota, sidomos në Korçë, por pavarësisht kësaj jam i kënaqur për të gjithë bashkëpunëtorët në këtë qark. Në përballjen me PS-në kemi pasur një rezultat përtej objektivave në disa zona. Fleta e votimit më shumë i ngjante një flet bingoje, sesa një flete votimi. Ne kemi pasur një program të mirë, kemi pasur alternativë, ndërsa PS-ja nuk ndihej në terren, deri në dy ditët e fundit, kur kthejnë edhe rezultatin në mënyrë të pandershme, në mënyrë të pisët”.

Më tej, ai u pyet për zërat kundër brenda PD-së, por theksoi se aktualisht nuk duhet të zhvendoset vëmendja nga fokusi kryesor. Madje, ai u shpreh se më shumë se alternativa, zërat kundër janë inate personale.

“Ky është një manipulim zgjedhor. Kjo është një plagosje nga ana e palës tjetër. PD-ja do të ketë reflektime të saj, do të ketë zgjedhje, por nuk mund ta zhvendosim vëmendjen nga fokusi kryesor. Nëse do të kishte alternativa që të bëjnë të përmirësohet PD-ja, do të ishin të mirëpritura, por mendoj se jemi në mllefe dhe inate personale. Pa u përfunduar procesi zgjedhor, jemi ende në proces ankimimi, do t’i bëjmë këto diskutime. Analiza nis në çdo nivel, nuk është vetëm e kryetarit. Analiza bëhet me të gjithë faktorët për të përmirësuar partinë. Kryetar do të jetë ai që do të marrë votat në zgjedhjet e ardhshme dhe të brendshme në PD. Ne nuk jemi në këtë fazë tani dhe nuk po e zhvendosim vëmendjen te kjo fazë. Me 39 vota lëviz mandati në Berat, e kështu edhe në disa zona të tjera. Ne do të jemi në çdo front”.

Në fund, ai komentoi edhe rezultatin e Fatmir Xhafajt në Tiranë, i cili mori më shumë se 16 mijë vota. Saliaji u shpreh se këto janë vota të administratës së Bashkisë së Tiranës. “Votat e Xhafajt janë vota nga administrata e bashkisë së Tiranës. Kjo është e qartë fare. Unë nuk mendoj se ka ndonjë vlerë më të madhe apo profil politik se Majko apo Ervin Xhafaj”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos