
Autoritetet shqiptare kanë ndërmarrë masa të rrepta sigurie për zhvillimin e samitit të 6dhjetorit në Tiranë ndërmjet liderëve të Bashkimit Europian dhe ato të Ballkanit Perëndimor. Protokoll, që sipas Kryeministrit Edi Rama nuk ekziston mundësia që të thyhet.
“Për sa i përket masave të sigurisë, ato nuk negociohen me askënd. Këtu hyn në fushë siguria e samitit dhe garantimi i gjithë masave të kërkuara të sigurisë për të gjithë liderët dhe delegacioneve të mbarë Europës. Këtë Samit e organizon Këshilli Europian, nuk e organizon Shqipëria. Shqipëria është mbështetëse dhe është mikpritëse e këtij Samiti”, tha Rama.
Këto masa nuk e mundësojnë zhvillimin e protestës së opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa kreu I qeverisë nuk dha asnjë shenjë tolerimi për të lejuar kundërshtarët politik për t’u mbledhur përpara godinës që ai drejton. “Historitë e 1912 që vazhdojnë dhe tirren, këto janë çështje që për fat të keq, ne nuk i shmangim dot, por nga ana tjetër nuk mund ta marrin dot peng as Shqipërinë dhe aq më pak një samit të këtyre përmasave. Çfarë lidhje ka kjo këtu me Mujin dhe me Halilin? Unë nuk shoh lidhje”.
Pavarësisht rizgjimit të Procesit të Berlinit, Edi Rama nuk heq dorë nga Ballkani I Hpur, një nismë rajonale që deri tani ka mbështetjen e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. “Ballkani i Hapur është një nisëm në përputhje të plotë, 100 % me frymën dhe germën e BE-së dhe nga ana tjetër është pjellë e Procesit të Berlinit. Mjafton të marrim në konsideratë faktin që në Procesin e Berlinit të ristartuar kemi firmosur ekzaktësisht ato dokumente që ishin më parë firmosur në Ballkanin e Hapur. Kështu që, ne nuk kemi asnjë arsye të ndryshojmë opinion mbi Ballkanin e Hapur”.
I pyetur për lajmet e qarkulluara së fundmi në media, mbi përfshirjen e kreut të grupit socialist në përgjime me grupe të dyshuar kriminale, shefi I qeverisë e cilësoi si një çështje që duhet të zbardhet nga organet e drejtësisë duke u bazuar në fakte dhe jo spekulime. (A2 Televizion)