Protesta e 6 dhjetorit, Deromemaj: Do të jemi paqësorë, pro vlerave europiane, por populli mund t’i përgjigjet provokimeve

Nga A2 CNN
30 Nëntor 2022, 22:26 | Politikë
Protesta e 6 dhjetorit, Deromemaj: Do të jemi paqësorë, pro

Policia nuk i ka dhënë leje protestës së opozitës përpara kryeministrisë më datë 6 dhjetor, por Berisha dhe Meta u takuan sot me vendosmërinë për ta organizuar,  për të treguar atë që sipas tyre është situata në Shqipëri liderëve që do të mbërrijnë në Tiranë.

Sipas Genc Deromemajt, anëtar i kryesisë të PD, planet për protestën nuk ndryshojnë.  “Sipas ligjit nuk jemi të detyruar të marrim konfirmim për të bërë protesta, mjafton t’i vejmë në dijeni, diçka formale. Prandaj asnjë detaj nuk ndryshon. Masat e sigurisë që ka marrë shteti për samitin janë në të drejtën e tyre, madje është detyrim për mbrojtjen e liderëve europianë”, thotë ai i ftuar në ”Debat”.

Sipas tij, “liderëve europianë nga opozita nuk i vjen asgjë e keqe, ne nuk po protestojmë ndaj tyre, do kemi vetëm mesazhe për ta. Do të jetë një skenar paqësor, me mesazhe të forta kundër qeverisë, ashtu siç kanë qenë në protestat e fundit”.

Por ai nuk mohon se gjerat mund të shkojnë edhe ndryshe. “Kjo nuk do të thotë që populli nuk do t’i përgjigjet provokimeve, por shpresoj që mos të ketë”, thotë demokrati.  

Ndërkohë, sipas analistit Aleksandër Çipa, “dy udhëheqësit politik të opozitës po e organizojnë këtë protestë, për të çuar mesazhin që ata janë protagoniste që nuk mund të anashkalohen. Përtej këtij mesazhi, nuk mund të ketë rezultat tjetër protesta. Është zgjedhur pikërisht mjedisi para qeverisë për ta bërë edhe më të evidentueshëm mesazhin që qeveria ka përballë një faktor të rëndësishëm”.

Analisti Sami Nezaj mendon nga ana tjetër se “protesta është e qytetareve, ka një qëllim tjetër, përtej nënteksteve, pra të ndaj qytetarët nga qeverisja e Edi Ramës në sytë e komunitetit ndërkombëtar. Nuk është protestë kundër Bashkimit Europian, po të ishte mund të shtrohej një diskutim ku ky vendim diskutohet”.

Çipa mendon se samiti ka dy mesazhe të rëndësishme, që mund ta bëjnë delikate për vendin një përplasje të mundshme. “ Samiti ka dy mesazhe të rëndësishme, është një reagim institucional i Brukselit ndaj qasjet malinje të Kinës dhe Rusisë në rajon, dhe konteksti i dytë lidhet me faktin që në Shqipëri ka një rol të shtuar në qasjen rajonale, për shkak të luajalitetit gjatë viteve, ka gëzuar me të drejtë organizimin e samitit. Vite më parë atribute të tilla për Ballkanin i kishte vetëm Greqia, dhe deri diku Serbia”, shton ai.

Deromemaj qartëson se PD e cilëson “organizimin e këtij samiti si një gjë të mirë për shqiptarët”, dhe kujton se partia e tij ka patur gjithmonë një qaseje të qartë pro vlerave të Bashkimit Europian dhe NATO-s”.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos