Cristiano Ronaldo është lënë sërish në stol nga trajneri i Portugalisë Fernando Santos për ndeshjen çerekfinale të Kupës së Botës, kundër Marokut.
Kjo është ndeshja e dytë që Ronaldo lihet jashtë, pasi edhe në përballjen kundër Zvicrës në 1/8-at, Ronaldo qëndroi në stol. Në vend të tij, edhe sot luan Gonçalo Ramos, i cili në ndeshjen kundër Zvicrës realizoi plot tre gola.
Formacionet zyrtare:
Maroku: Bono, Hakimi, Attiat-Allah, Saiss, Amallah, Amrabat, El Yamiq, Ounahi, Ziyech, Boufal, En Nesyri.
Portugalia: Costa, Dalot, Dias, Pepe, Guerreiro, Neves, Otavio, Bernardo Silva, Bruno Fernandes, Goncalo Ramos, Joao Felix.
Pasi u ul në stol, në media u përhap lajmi se Ronaldo mund të braktisë Botërorin. Por vetë numri 7 i ka mohuar zyrtarisht të gjitha këto thashetheme. “Ky grup është shumë i bashkuar për t’u përçarë nga forca të jashtme. Jemi një komb shumë i guximshëm dhe nuk intimidohemi nga kundërshtarët. Këtu bëhet fjalë për një skuadër të vërtetë e cila do të luftojë për ëndrrën e saj deri në fund”, u shpreh Ronaldo.
Një ditë më parë, vetë Santos zbuloi bisedën që pati me Cristiano Ronaldon, pasi kapiteni portugez mori vesh që nuk do të ishte titullar në ndeshjen ndaj Zvicrës. “E vërtetë, pata një bisedë me të. Nuk do të ishte mirë po të mos bisedoja. Është gjëja më normale që të kishim një përballje. Zakonisht nuk e bëj, por duke qenë se është kapiteni, duke qenë se është ai që është, duke marrë parasysh se çfarë përfaqëson për tifozët dhe skuadrën, sigurisht që duhet të bisedoja me të”, tha Santos.

Më tej, trajneri tregoi se çfarë diskutuan: “I shpjegova arsyet pse nuk do të luante. Mendova se hyrja e tij në lojë në pjesën e dytë mund ta zgjidhte ndeshjen. Sigurisht që Cristiano nuk ishte i kënaqur sepse zakonisht luan nga fillimi, por ishte një bisedë shumë normale dhe e qetë. Kurrë nuk tha që donte të largohej nga grumbullimi. Mendoj që nuk duhet vazhduar me spekulime, pasi e shikoj që është bërë e modës të sulmohet vetëm Cristiano. U pa qartë shembulli që dha në ndeshje, bërtiste në stol dhe duartrokiste. Lëreni të qetë”.
Kur u pyet nëse do të përdorte të njëjtin formacion si ndaj Zvicrës edhe kundër Marokut, Fernando Santos u përgjigj: “Thuhet se ekipi që fiton, nuk ndryshohet. Por, Maroku ndryshon nga Zvicra”. Me sa duket, nuk ndryshuakan shumë. (A2 Televizion)