Regjistrimet audio, me radio-shkëmbimet mes një luftanije britanike dhe mjeteve lundruese të forcave të armatosura të Iranit konfirmuan përplasjen momentet e tensionit, përpara sekuestrimit të naftëmbajtëses me flamur të Mbretërisë së Bashkuar në Gjirin Persik.
Në komunikimet në radio, anija e Teheranit i kërkon palës tjetër që të lejojë inspektimin e cisternës për arsye sigurie.

“Stena Impero” më pas u ankorua dhe sekuestrua nga autoritetet iraniane me arsyetimin se shkeli rregullat ndërkombëtare. “Nëse bindeni do të jeni të sigurtë”, ishte fraza e shprehur nga luftanija e Iranit e shoqëruar me kërkesën ndaj cisternës britanike për të ndryshuar kursin e lundrimit.
Ky zhvillim nxiti reagimin e qeverisë së Londrës, që kërkon lirimin e naftëmbajtëses së sekuestruar ilegalisht.
“Kjo nuk ka të bëjë me strategjinë e presionit maksimal të Shteteve të Bashkuara, pasi kemi qasje tjetër me Iranin. Por kjo ka të bëjë me sigurinë e lundrimit ndërkombëtar dhe të Britanisë në një nga itineraret detare më të rëndësishme në botë, prandaj i bëjmë thirrje Iranit që të tërheqë këtë akt ta paligjshëm. Po kërkojmë mënyra për të qetësuar situatën”, deklaroi ministri i Jashtëm anglez Jeremy Hunt.
Më tej ministri i Jashtëm britanik tha se ka komunikuar me homologun Iranian, Xhavad Zarif, për këtë temë. Gjithashtu u shpreh se kjo ishte një kundërpërgjigje për sekuestrimin e një cisterne të Teheranit në brigjet e Gjibraltarit, e cila po lundronte drejtë Sirisë. (A2 Televizion)