Sekuestrohen 1 milion euro false në Rinas, arrestohet kamerunasi

Nga A2 CNN
17 Shkurt 2022, 14:11 | Kronikë

Më shumë se 1 milion euro të dyshuara të jenë false, janë sekuestruar në Rinas, të futura nga një person nga Kameruni, i cili është arrestuar, njoftoi Policia.

“Komisariati i Policisë Rinas, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, pas informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas do të tentonte të hynte në Shqipëri, me sasi të konsiderueshme kartëmonedhash të falsifikuara, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Lastra”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit kamerunas Josoue Ngakam, 53 vjeç, me leje qëndrimi në një nga vendet e Bashkimit Evropian”, tha Policia.

Gjatë kontrollit nga shërbimet e Policisë, në bagazhet e këtij shtetasi janë gjetur sasi të konsiderueshme kartëmonedhash të dyshuara të falsifikuara dhe lastra (letra që përdoren për të prodhuar kartëmonedha të prerjeve të ndryshme).

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 1 milion e 75 mijë euro të dyshuara të falsifikuara, lastra, letër speciale për prodhimin e kartëmonedhave euro dhe një aparat celular.

Policia shtoi se, nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë në vendin tonë, do të hidhte në qarkullim kartëmonedha të falsifikuara. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve. Materialet iu referuan Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Falsifikimi i monedhave” dhe "Mashtrimi". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos