
Policia e Lezhës ka njoftuar finalizimin e operacionit “Fake test”, duke goditur dy raste të kryerjes së testit SARS-Cov-2 jashtë procedurës standarde dhe të lëshimit të dokumentit të rezultatit të testit fals dhe fiktiv.
Është arrestuar një farmaciste, 25-vjeçarja K.L., si dhe shpallet në kërkim administratorja e farmacisë, 35-vjeçarja A.U., dhe procedohet në gjendje të lirë një shtetas tjetër.
Këto shtetase, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, në periudha të ndryshme kohore, kanë pajisur shtetas të ndryshëm me dokumentin shëndetësor të falsifikuar të testit molekular RT PCR për SARS-Cov-2, pa iu nënshtruar më parë kryerjes së testit dhe marrjes së kampionit PCR nga kërkuesit.
Pajisja e tyre bëhej vetëm me dërgimin e dokumentit të identifikimit nga ana e kërkuesit dhe sipas kërkesave të tyre, testi me përgjigje pozitive paguhej 100 euro, ndërsa testi me përgjigje negative paguhej 50 euro. Nga hetimet e deritanishme, dyshohet që me këto teste fiktive, janë pajisur rreth 500 shtetas të ndryshëm.
Gjithashtu, është proceduar në gjendje të lirë shtetasi A. D., 49 vjeç, banues në Lezhë, administrator i një subjekti privat biznes, i cili dyshohet se te biznesi i tij kryente tampon/ testin e SARS-Cov-2, në kundërshtim me procedurat e përcaktuara në ligjin për testin SARS-Cov-2. (A2 Televizion)