Sëmundja iu rishfaq në Glastonbury, këngëtari shkëputet përkohësisht nga turnet muzikorë

Nga A2 CNN
27 Qershor 2023, 16:57 | Showbiz

Këngëtari skocez Lewis Capaldi ka dhënë një njoftim zhgënjyes për fansat e tij, menjëherë pas performancës zemërthyese në festivalin e Glastonbury, ku ai u pa në vështirësi për shkak të krizave që përjetoi prej sindromës Tourette.

Ylli 26-vjeçar i muzikës ka zbuluar se po bën një pushim nga turnetë muzikorë, në përpjekje për të kontrolluar sëmundjen e tij.

Duke iu drejtuar performancës së tij emocionale të shtunën, ku turma ndërhyri për ta ndihmuar të përfundonte këngën, Lewis tha: “Së pari, faleminderit Glastonbury. Më vjen shumë keq t'ju bëj të ditur se do të bëj një pushim nga turnetë. Unë ende po mësoj të përshtatem me ndikimin e Tourette dhe të shtunën u bë e qartë se më duhet të kaloj shumë më tepër kohë për të rregulluar shëndetin tim mendor dhe fizik, në mënyrë që të vazhdoj të bëj gjithçka që dua në të ardhmen."

Lewis, i cili po trajtohet me injeksione botoksi për të ngrirë muskujt në përpjekje për të kontrolluar tiparet karakteristike të Tourette, shtoi: “E di që jam jashtëzakonisht me fat që mund të kaloj pak kohë të lirë kur të tjerët nuk munden”.

Më vjen shumë keq për të gjithë ata që kishin planifikuar të vinin në një shfaqje para fundit të vitit, por më duhet të ndihem mirë për të performuar në standardin që ju të gjithë meritoni. Të luaj për ju çdo natë është gjithçka që kam ëndërruar ndonjëherë, kështu që ky ka qenë vendimi më i vështirë i jetës sime. Do të kthehem sa më shpejt që të jetë e mundur”, shtoi ai.

Të shtunën, Lewis u pa me të vërtetë duke luftuar teksa performonte dhe u përpoq me sforco të kontrollonte dridhjet e tij.

Pasi performoi hitin “Hold Me while You Wait”, Lewis kërkoi falje dhe pranoi se ishte i mërzitur me veten, por turma u përgjigj duke brohoritur: "Oh Lewis Capaldi". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos