
Mijëra persona morën pjesë në një protestë të madhe që u zhvillua njëkohësisht në disa qytete të Serbisë kundër ndërtimit të një miniere litiumi, si dhe ndryshimeve ligjore, që favorizojnë kompanitë private në dëm të qytetarëve dhe mjedisit.
Protestuesit bllokuan rrugët kryesore dhe një autostradë në Beograd, ndërkaq protesta të ngjashme u mbajtën dhe në Novi Sad, Zrenjanin, Shabac, Nish, Kragujevc, Suboticë, Uzhicë, Rashkë.
Kjo është java e dytë që qytetarët protestojnë për këtë çështje, kundër vendimeve të fundit të autoriteteve për të ulur pragun e referendumit dhe për të lejuar shpronësimin e shpejtë të pronës private, nëse autoritetet e vlerësojnë se është në interes të publikut.
Grupet e mjedisit dhe organizatat e shoqërisë civile argumentojnë se ndryshimet e fundit ligjore në Ligjin për Shpronësim dhe Ligjin për Referendum do të hapin rrugën për kompanitë e huaja për të anashkaluar pakënaqësitë e qytetarëve për projektet, siç është edhe projekti i kompanisë Rio Tinto që ka nisur ndërtimin e një miniere të litiumit në perëndim të Serbisë.
Kompania Rio Tinto ka thënë se do të respektojë të gjitha ligjet serbe dhe ka mohuar se projekti për minierën rrezikon mjedisin. (A2 Televizion)