Qytetarët serbë kanë filluar të mblidhen nëpër lokacione të ndryshme përgjatë rrugës Mitrovicë-Leposaviq. ata ndodhen në hyrje të Leposaviqit, Leshak dhe Rudare.
Burime të KosovaPress-it, bëjnë të ditur se një ish polic i Kosovës, i nacionalitetit serb, është arrestuar sot pasi ka tentuar të kalojë përmes kufirit të Jarinjes, ndërsa, qytetarët janë tubuar për ta penguar transferimin e tij në jug.
Sipas këtyre burimeve, bëhet fjalë për ish-policin me inicialet D. P. Ndërkohë, Forca të shtuara të Policisë së Kosovës, si dhe karabinierë italianë, tashmë kanë rritur prezencën mbi urën kryesore të Ibrit në Mitrovicë.

Alarmi që është aktivizuar rreth orës 15:00 vazhdon të dëgjohet në Mitrovicë. Mësohet se serbët kanë aktivizuar alarmin edhe në komunat e Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, e që në bazë të praktikave të mëparshme, fton qytetarët të mblidhen tek barrikada.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë me dije se, i ndaluari, sipas dëshmive të Policisë së Kosovës, ka organizuar sulmin terrorist në zyrat e KKZ-së në veri të vendit. Ndërkohë, ka ftuar qytetarët për ruajtje të qetësisë. (A2 Televizion)