“Serbia t’i lirojë policët e Kosovës”, Escobar: Ata që refuzojnë partneritetin do të kenë pasoja

Nga A2 CNN
16 Qershor 2023, 21:40 | Kosova
“Serbia t’i lirojë policët e Kosovës”, Escobar:

Shtetet e Bashkuara paralajmërojnë Kosovën se do të përballet me pasoja nëse vazhdon të injorojë zgjidhjen e ofruar nga ndërkombëtarët për uljen e tensioneve në veri.

“Ata që duan të jenë partnerë me ne, duhet të punojnë afër me SHBA-në dhe Bashkimin Europian, në pikat në të cilat jemi duke insistuar. Një lider nuk mund të ketë në dorë drejtimin e gjithë rajonit. Prandaj, ata që refuzojnë partneritetin do të kenë pasoja.”

Ai u mbrojt përballë pyetjes se Uashingtoni nuk po mbështetë më Prishtinën, duke thënë se gjithçka që SHBA ka bërë në 90 ditët e fundit ka qenë në favor të Kosovës dhe kundër Serbisë. Më konkretisht përmendi mbështetjen e aplikimit për anëtarësim në BE, mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore dhe njohjen e legjitimitetit të kryetarëve të rinj, pavarësisht daljes së ulët në votime. Lidhur me kritikat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për mos reagim ndaj rrëmbimit të 3 policëve nga Serbia në territorin e Kosovës, Escobar tha se SHBA dhe KFOR-i janë në pritje të fakteve.

“Po presim përfundimin e hetimeve. Mendojmë se është joadekuate të bëjmë vlerësime parapake. Është shumë e qartë se këta policë, ose janë dërguar në Serbi, ose kanë përfunduar në Serbi pa qëllim, prandaj edhe duhet të lirohen, pa parakushte”.

Escobar kërkoi nga qeveria e Kosovës që të heqë ndalesën ndaj mallrave serbe në kufi. Më herët edhe Departamenti i Shtetit përmes një deklarate zyrtare kërkoi lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës, të ndaluar nga forcat serbe. Në një deklaratë, Departmaneti Amerikan i Shtetit u kërkon palëve të marrin masa për shtensionim të situatës, përfshirë tërheqjen e policisë dhe kryetarëve shqiptarë nga objektet e komunave në veri. Thirrjes për lirimin e 3 efektivëve i është bashkuar dhe Gjermania, me ministren e jashtme, Annalena Baerbock, që kërkon masa për uljen e tensioneve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos