Serie A, Interi e ka seriozisht për Berat Gjimshitin

Nga A2 CNN
17 Shkurt 2022, 12:20 | Futboll
Serie A, Interi e ka seriozisht për Berat Gjimshitin

Interi po mendon seriozisht të blejë Berat Gjimshitin. Mbrojtësi kuqezi, i cili prej disa sezonesh është kthyer në një prej pikave të forta të repartit difensiv të Atalantës, duket plotësisht gati për hapin e madh në karrierë.

Tek Interi kërkojnë një zëvendësues të De Vrij, i cili nuk po bind gjatë këtij sezoni dhe 28-vjeçari duket lojtari ideal për ta zëvendësuar. Përveç sigurisë dhe kualitetit që ofron, një avantazh i rëndësishëm për futbollistin shqiptar, është fakti se ai mund të luajë shkëlqyeshëm në mbrojtjen me tre.

Kjo e bën kandidatin kryesor për skemat e trajnerit Inzaghi. Zikaltërit do të përfitonin gjithashtu nga marrëdhënia e shkëlqyer me klubin e Atalantës, mbi të gjitha pas transferimit më të fundit të Gosens. Nëse negociatat për Gjimshitin do të bëhen konkrete, Atalanta mund të pranojë ta shesë, duke kërkuar në këmbim Pinamonti-n, sulmuesin në pronësi të Interit, por që luan si i huazuar tek Empoli.

Aventura në Milano, do të vinte pas pesë sezoneve të jashtëzakonshme tek Atalanta, me Gjimshitin që do të synojë të fitojë trofe të rëndësishëm në Itali, por edhe në arenën ndërkombëtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos