
Rritja e temperaturave, shoqëruar me frekuentim të plazhit nga qytetarët vendas dhe të huaj ka vënë në lëvizje strukturat vendore që të nisin punën për pastrimin e bregdetit.
Tonelata leshterikë nxjerrë nga dallgët kanë nisur të pastrohen në vijën bregdetare të Durrësit. Puna është përqendruar në plazhin e madh të qytetit, ku sipas vendorëve sasi e leshterikut mbetet e madhe.
Ndërhyrja për pastrimin bëhet gjatë natës, por problem mbetet venddepozitimi i tyre pas mbylljes së landfillit në Durrës.
Pas këtij procesi brezi i rërës do të duhet t’i nënshtrohet plugimit dhe më pas dezinsektimit, i cili pritet të zhvillohet në dy faza, me qëllim ofrimin e një mjedisi të pastër për pushuesit.
Aksioni i pastrimit sipas vendorëve do të vijojë përgjatë gjithë javëve në vijim pa ndërprerje për të përgatitur një mjedis sa më të pastër për vizitorët vendas dhe turistët e huaj që pritet të frekuentojnë plazhet e Durrësit këtë sezon. (A2 Televizion)