
Shqipëria e mbylli 2019 pa një zgjidhje të krizës së brendshme politike, pa marrjen e dritës jeshile të çeljes së negociatave nga Bashkimi Europian, pa realizimin e reformës zgjedhore që është kthyer në ngërçin e radhës mes palëve politike, me një reformë në drejtësi që ngre shumë pikëpyetje për funksionimin e institucioneve të reja të drejtësisë, me një gjykatë kushtetuese jofunksionale dhe së fundmi përballimi i tragjedisë së shkaktuar nga tërmeti, për të cilën qeveria ka parashikuar një plan rindërtimi. Të gjitha këto mbeten sfidat për 2020.
Në fund të janarit organizohet konferenca e donatorëve nga KE që do t’i vijë në ndihmë vendit, për rindërtimin e banesave të shkatërruara nga tërmeti. Një hap pozitiv, ky, në ndihmë të qeverisë.
Në maj një tjetër test për Shqipërinë nga BE, mbajtja e samitit të Zagrebit. Në këtë samit vendet anëtare të BE pritet të unifikojnë qëndrimet e tyre lidhur me çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Por sa do t’ia dalë qeveria të përmbushë kushtet e Bundestagut, ku përfshihen “zbatimi i reformës zgjedhore, hetimi dhe gjykimi i personave të akuzuar për blerje të votës, hetimi dhe gjykimi i gjykatësve që përjashtohen nga vettingu, funksionimi i SPAK, hapa të dukshëm në luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, përmirësime të dukshme të administratës civile dhe qartësim të ligjshmërisë së zgjedhjeve të fundit lokale”?
Në këtë pikë miratimi i reformës zgjedhore do të ishte vendimtar. Por palët janë ekstremist të ndara, gjë që çoi edhe në dështimin në përmbylljen e saj brenda afateve në dhjetor të 2019.
E teksa kriza vijon, duke u shtrirë edhe në përplasjen institucionale me presidentin të cilin mazhoranca vijon procedurat për të shkarkuar nga detyra, ky i fundit përgjigjet përmes fuqisë së dekreteve, 2020 nuk duket aspak e lehtë, beteja e fundit pritet të jetë ajo për ligjin anti-shpifje. (A2 Televizion)