
Kandidati për president të Federatës Shqiptare të Futbollit, Dritan Shakohoxha, thotë se ka ardhur koha që kombëtaren e Shqipërisë ta drejtojë një trajner shqiptar, pas dështimeve të shumta me trajnerët e huaj.
“Nga ajo mbrëmje Shqipëria nuk ka më trajner, nuk është Edy Reja. Çdo trajner shqiptar mund të jetë më i mirë se Reja, duke filluar nga Mirel Josa, apo Ilir Daja. Të gjithë po i vijnë rrotull Besnik Hasit, por edhe Alban Bushi mendoj se do ta bënte më mirë këtë punë”, tha Shakohoxha në studion e Ditarit në A2 CNN.
“Edy Reja-n e largoi stadiumi. Është histori dështimi, sepse nuk është zgjedhur një trajner për të drejtuar skuadrën për aftësitë e trajnimit, por është zgjedhur dikush që ka pasur një emër të madh, por pjesa më e madhe e tyre nuk ka pasur lidhje me ekipet kombëtare. Ky trajner ka pasur karrierë shumë të mirë, me emër shumë të madh, por e mori drejtimin e Shqipërisë sepse ka qenë i mirë, jo sepse ishte i aftë për këtë punë. Edhe ai vetë e kishte harruar se ishte i aftë akoma për ta bërë këtë punë”.
I pyetur për debatin e hapur së fundmi nga mediat italiane, për mosaktivizimin e Kristjan Asllanit, Shakohoxha tha: “Reja ka bërë aq shumë gjëra jo të mira në ekipin kombëtar, sa t’i shtojmë edhe këtë besoj unë. Janë besoj dyshime, por nuk besoj të jetë e vërtetë, që Rejën ta marrin në telefon dhe t’i thonë që të mos luajë një futbollist. Sepse në fund fare, për Rejën, gjëja më e rëndësishme është vetë karriera e tij. Dhe nëse ai e mendonte se nuk do ta fitonte dot ndeshjen nëse s’do të kishte Asllanin, dyshoj shumë se do të sakrifikonte Asllanin, sidomos për Interin, që nuk e lidh asgjë”. (A2 Televizion)