Shalsi: Brenda vitit 2021 informaliteti do të jetë në kufijtë e minimales

Nga A2 CNN
24 Shtator 2020, 14:27 | Ekonomi
Shalsi: Brenda vitit 2021 informaliteti do të jetë në

Eduard Shalsi, ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, bëri një analizë të situatës aktuale ekonomike në vendin tonë, i ftuar në A2. Ai theksoi se situata po shkonte sipas parashikimeve deri në fund të vitit 2019, ndërsa tërmeti dhe pandemia e ndryshuan tërësisht atë.

“Të mos harrohet nga u nisëm. Në vitin 2013, kur erdhëm në pushtet, bëmë një sërë premtimesh bazuar jo mbi atë çka ne dëshironim, por mbi bazën e asaj që ishte e mundshme për situatën. Në vitin 2013, Shqipëria kishte një rritje ekonomike gati zero. Nga u nisëm morëm përsipër të hidhnim disa themele të shëndosha. Është e kuptueshme që nuk mund të shkohet nga zero në 10 për qind rritje, por duhet me radhë. Po ecnim mirë deri në vitin 2019, kur një pjesë e reformave kishin nisur të jepnin efekt. Të mos harrojmë, hoqëm taksën e biznesit të vogël dhe përfituesit ishin rreth 93% e bizneseve. Vetëm 9% e bizneseve e kishin taksën 15%. Kemi vijuar të përmbushim premtimet tona, duke marrë në konsideratë edhe mundësitë. Goditja e tërmetit dhe sidomos ajo e pandemisë e tronditën thellë ekonominë e vendit. Pandemia ka çuar në recesion ekonomi shumë të qëndrueshme edhe se Shqipëria e jo më në një vend si i ynë ku edhe efektet do të ishin edhe më të rëndë. Kjo ishte arsyeja që analizuam dhe përqendruam politikën tonë në disa kolona, ndihma ndaj individit, ndaj biznesit, si dhe duke pasur parasysh mungesën e likuiditetit të kompanive tona, injektuam kapitale për bizneset, pa harruar të rrisnim shërbimet operacionale dhe kapitale për sistemin shëndetësor.

Sa i përket klimës së biznesit në vend, Shalsi u shpreh se qeveria ka marrë masa të ngjashme me ato të vende të tjera në botë, pasi është akumuluar një eksperiencë.

“Mbijetesa është objektivi kryesor i sipërmarrjes, nuk flasim më për problematikat që shtroheshin para pandemisë dhe tërmetit. Kemi ndjekur me kujdes dhe kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me biznesin. Kemi ndjekur edhe se çfarë ka bërë bota, kemi analizuar dhe kemi qenë në kontakt me homologët tanë në vende të ndryshme. Një nga gabimet e pranuara në botë ka qenë nxitimi për të marrë disa masa, madje brenda marsit, siç rasti i Italisë, të cilat nuk rezultuan edhe aq efektive. Dëshira për të reaguar shpejt nuk solli një efikasitet, ndaj ne trajtuam me kujdes 2 paketat e para, ndërsa tani po analizojmë me shumë kujdes mënyrën e mbështetjes duke u nisur edhe nga sektorë të veçantë. Janë disa sektorë që janë prekur shumë rëndë, si turizmi. Pandemia është globale, shkalla e goditjes është e ndryshme, ndërsa mekanizmat dhe instrumentet, pavarësisht aplikimit janë pak a shumë ata që ka bërë edhe bota. Ndryshon masa e përdorimit apo e injektimit në ekonomi. Ne kemi studiuar, kemi analizuar, kemi parë se çfarë ka bërë bota. Duke qenë se në rastin konkret nuk është për t’u shpikur rrota, kemi përshtatur mekanizma dhe instrumente ashtu sikundër kemi evituar edhe disa masa të pafrytshme nga vende të tjera”.

Zerimi i tatimfitimit dhe TVSH-së për biznesin e vogël dhe të mesëm, pse në këtë moment? “Kohë më parë hoqëm taksën e biznesit të vogël, ulëm taksën e biznesit deri në 5 për qind. Vazhdimisht kemi marrë hapa në varësi edhe të ngjarjeve që kanë ndodhur, por edhe të konsolidimit të bilancit financiar të Shqipërisë. Në vitin 2013, paga minimale ishte 23 mijë lekë, tani besojmë në kontekstin e ri. Duhet thënë, se pandemia ka sjellë një reflektim të thellë të mënyrës se si e shohim botën. Masa për të hequr tatimin mbi fitimin dhe për të mos lejuar më bizneset me xhiro deri në 10 milionë lekë, do të jetë një oksigjen për këto sipërmarrje”.

Më tej, Shalsi u shpreh se brenda vitit 2021 informaliteti do të jetë në kufij të minimales. “Po ndërmerren disa politika me anë të të cilave ne besojmë që brenda 2021 informaliteti do të jetë në kufij minimal, shumë më ndryshe nga këto vite, po ndërtojmë sisteme, platforma, të cilat do të ndërthuren midis tyre për të mos lejuar të lulëzojë informaliteti”, u shpreh Shalsi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos