
Milani dhe Interi në udhëkryqin e edicionit në Champions. Kuqezinjtë duhet të fitojnë me patjetër përballë Portos, për të ëndërruar kualifikimin nga faza e grupeve. Këto janë orë shumë delikate për ambiciet e Djallit, nga Europa e deri te titulli në Itali.
Skuadra e Piolit është maksimalisht e përqendruar te dueli me portugezët, por nuk mund të lërë pas dore edhe derbin e fundjavës. Milani është 4 pikë pas Portos dhe Atletico-s dhe gara është ende e hapur. Rikthimi i Brahim Diaz jep garanci, teksa Giroud është i favorizuar përballë Ibrahimoviç.
Interi në anën tjetër, ka shansin e artë që të kalojë Sherifin e Tiraspolit. Nëse marrin tre pikët në Moldavi, zikaltërit do të hipotekonin kalimin në fazën e një të tetave. Inzaghi do të hedhë në fushë formacionin më të mirë, me Lautaro Martinez e Dzeko titullarë, ndërsa Correa dhe Sanchez janë gati në stol. Interi shpreson të marrë edhe lajme të mira nga Madridi, atje ku Reali përballet me Shaktar Donetsk.
Në ndeshjet e tjera, spikat supersfida ndërmjet Liverpul dhe Atleticos së Madridit në Grupin B. Manchester City pret në shtëpi me Brugge, teksa PSG do të luajë në transfertën gjermane me Leipzig. (A2 Televizion)