SHBA, akuza Kinës: Po sheh mundësinë që t’i ofrojë ndihmë ushtarake Rusisë

Nga A2 CNN
20 Shkurt 2023, 09:58 | Bota
SHBA, akuza Kinës: Po sheh mundësinë që t’i

Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se Kina po konsideron të mbështesë ushtarakisht Moskën, në luftën kundër Ukrainës, duke i mundësuar “armatime vdekjeprurëse”.

Këtë e tha Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken gjatë një interviste televizive për mediat amerikane.

Shefi i diplomacisë së Uashingtonit u takua më herët me homologun kinez Wang Yi gjatë konferencës së sigurisë në Mynih, ku siç tha paralajmëroi Pekinin për pasoja nëse do të ofronte material mbështetës për luftën ruse në Ukrainë. 

 “Po e monitorojmë me shumë kujdes situatën dhe Kina po angazhohet duke i ofruar mbështetje retorike, politike dhe diplomatike Rusisë. Por ne kemi informacione shqetësuese, se Pekini po konsideron gjithashtu t’i ofrojë mbështetje ushtarake aleatit të tij,” u shpreh Blinken.

Pekini nxitoi të përgënjeshtronte ato që i quajti deklarata të rreme të shteteve të bashkuara.

 “Nuk pranojmë që Shtetet e Bashkuara të drejtojnë gishtin tek marrëdhëniet Kinë-Rusi dhe as që të ushtrojnë presion mbi ne”, ishte deklarata e zëdhënësit të ministrit të Jashtëm.

Përplasja e fundit mes Pekinit dhe Uashingtonit, vjen ndërsa tensionet mes dy vendeve kanë arritur kulmin, për shkak të incidentit me atë që SHBA e etiketoi si balonë përgjimi të kinës.

Dyshimet për një përfshirje të Kinës në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, i ushqen edhe vizita që ministri i Jashtëm i Pekinit zhvillon në Moskë këtë të hënë. 

E përditëshmja ruse raportoi se Wang Yi udhëtoi drejt Rusisë, për një takim, që sic thuhet, synon të rrisË rolin e Pekinit sa i përket përpjekjeve për të përshpejtuar zgjidhjen e krizës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos