SHBA-BE bëjnë bashkë opozitën, Osmani flet me Lajçak dhe Escobar për zgjedhje të reja në veri

Nga A2 CNN
6 Qershor 2023, 13:17 | Kosova
SHBA-BE bëjnë bashkë opozitën, Osmani flet me Lajçak

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një takimi me dyshen amerikano-europiane, Lajçak-Escobar, ka biseduar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.

“Presidentja Osmani ka potencuar se zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore dhe në këtë kontekst, ajo shtoi se duhet të sigurohet pjesëmarrje demokratike e qytetarëve që jetojnë në këto katër komuna”, thuhet në njoftimin e presidencës, pas takimit me përfaqësuesin special të BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak, dhe të dërguarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor të SHBA-ve, Gabriel Escobar.

Gjithashtu, kryetarja e shtetit bëri thirrje për ndëshkimin e grupeve kriminale dhe individëve që përdorën dhunë ndaj policisë, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve në veri të Kosovës.

Pas takimit me presidenten Osmani, emisarët ndërkombëtarë bënë bashkë dhe kryetarët e tre partive opozitare kryesore, Memli Krasniqin e PDK-së, Lumir Abdixhikun të LDK-së dhe Ramush Haradinajn e AAK-së.

Escobar dhe Lajçak pritet të takohen gjithashtu edhe me drejtuesit e Listës Serbe, me temën kryesore uljen e tensioneve në veri të Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos