
Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog. Ishin këto tri kërkesat që të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së, Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Escobarit, i paraqitën kryeministrit Albin Kurti, gjatë takimit prej dy orësh që zhvilluan me të në Prishtinë, mbrëmjen e së hënës.
Dy zyrtarët e lartë vizituan Kosovën, në përpjekjen për të gjetur një zgjidhje për tensionet që kanë përfshirë 3 komunat veriore të Zvecanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, ku serbët po protestojnë rregullisht kundër kryetarëve shqiptarë.
“Fatkeqësisht rikthehemi në Prishtinë për t’u marrë me menaxhimin të krizës në vend të normalizimit të marrëdhënieve. Ne prezantuam një propozim në emër të komunitetit ndërkombëtar që përmban 3 elemente; zbutje të tensioneve në terren; mbajtjen e zgjedhjeve të shpejta në Veri dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Patëm një bisedë të gjatë, të sinqertë dhe të vështirë me kryeministrin Kurti lidhur me këto pika. Misioni ynë sa ka filluar, pasi kemi një ditë plot me takime të martën”, deklaroi Lajçak.
Ai tha se është në interes të të gjithëve që në veri të Kosovës të ketë kryetarë të komunave "legjitime" dhe që përfaqësojnë qytetarët.
Ndërkohë, Escobar u shpreh se erdhi në këtë takim, si mik i Kosovës dhe se shpreson që kërkesat e tyre të dëgjohen.
Sipas tij, nuk ka pasur kurrë më parë kaq shumë unitet brenda komunitetit transatlantik, sa i përket çështjes së Kosovës.
“Respektojmë autoritetin e qeverisë së Kosovës, respektojmë strukturën kushtetuese të Kosovës dhe nuk do të ketë zgjedhje të detyrueshme në këtë vend. Por ashtu siç e tha edhe Lajçak, kjo ka të bëjë më respektimin e ligjit, dhe sigurimin e harmonisë mes grupeve etnike.”
Sakaq, në një njoftim nga zyra e kryeministrit të Kosovës, thuhet se Kurti shprehu “gatishmërinë pa rezerva dhe mirëbesimin e palëkundur për angazhim intensiv e të përbashkët për shtensionim të situatës dhe normalizim të marrëdhënieve”.
Sipas njoftimit, kryeministri Kurti tha se “rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistë të dhunshëm dhe grupe kriminale ndaj organeve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare si dhe gazetarëve”.
Ai theksoi se vetëm sundimi i ligjit mund t’i hapë rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira, demokratike e të ndershme. (A2 Televizion)