Mijëra njerëz dhe makina u fotografuan duke formuar radhë kilometrike në kufirin mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës të dielën, në pritje të mbërritjes së ditës së hënë, kur shfuqizohen kufizimet e udhëtimit për të huajt.
Që prej nisjes së pandemisë udhëtimet për në SHBA nga Meksika, por edhe Kanadaja, ishin kufizuar ndjeshëm. Por pavarësisht bllokadës 20-mujore, në kufirin jugor amerikan ka pasur një krizë të vazhdueshme për shkak të emigrantëve të shumtë që kërkojnë të futen në SHBA.
Në pikën kufitare San Ysidro në Tijuana, tregtarët ambulantë u panë t’u ofronin ushqim dhe pikë meksikanëve të bllokuar prej orësh në kufi, të cilët prisnin me padurim për t’u futur në SHBA për të takuar familjarët e tyre. Radhë të gjata u krijuan edhe në Ujëvarën e Niagarës, ku kanadezët kërkonin të kalonin kufirin amerikan për të vizituar shtetin e Nju-Jorkut.
Sipas rregullave të miratuara nga autoritetet amerikane, udhëtarët e huaj që futen në Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të vaksinuar me vaksina anti-Covid të miratuara dhe të tregojnë certifikatën e vaksinimit. Për momentin, vaksina ruse Sputnik V dhe ajo kineze CanSino, nuk janë miratuar nga SHBA-ja.
Gjithashtu, dokument i vlefshëm për t’u futur në SHBA është edhe testi PCR negativ i kryer jo më shumë se 3 ditë para mbërritjes në SHBA, ose një provë që vërteton se ke kaluar Covid-19 në 3 muajt e fundit. Fëmijët e pavaksinuar do të lejohet të futen në SHBA nëse udhëtojnë me të rritur që janë plotësisht të vaksinuar. (A2 Televizion)