Disa prej të arrestuarve nga familja Mancuso. 'Ndragheta ka në total 150 familje, vetëm njëra ka dalë para gjykatës. Salla gjigante ku zhbvillohet "maksi procesi". Prokurori antimafia Nicola Gratteri Luigi Mancuso, "Daja" i familjes kriminale të 'Ndragheta-s.
70 anëtarë të organizatës kriminale kalabreze, ‘Ndrangheta u shpallën fajtorë, në fazën e parë të gjyqit më të madh kundër organizatave mafioze në Itali, të zhvilluar prej dekadash. Të pandehurit akuzohen ndër të tjera edhe për vrasje dhe zhvatje.
Përgjatë dy viteve të ardhshme, 355 të dyshuar si pjesëtarë të grupit kriminal do të dalin para gjykatës të akuzuar për përfshirjen në atë që vlerësohet si grupi kriminal më i pasur dhe më i fuqishëm në Itali. Në seancat gjyqësore, janë përfshirë qindra avokatë dhe mijëra dëshmitarë.
Të shtunën e kaluar, “maksi procesi”, i ngjashëm me atë të organizuar nga Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino në vitet 1980 kundër mafias siçiliane, u zhvillua me dyer të mbyllura, në një sallë të madhe të ngritur posaçërisht për këtë proces në qytetin kalabrez, Lamezia Terme.
Të akuzuarit pranuan gjykimin e shkurtuar, duke përfituar ulje me 1/3-n e dënimit nëse shpallen fajtor. Nga personat e shpallur fajtor fundjavën e kaluar, 6 persona u dënuan me 30 vite burgim, dënimi maksimal që kishte kërkuar edhe prokuroria. Por 21 të tjerë u shpallën të pafajshëm.
‘Ndrangheta është një rrjet kriminal i përbërë nga rreth 150 familje. Gjyqi ka vënë në shënjestër vetëm njërën prej tyre, familjen Mancuso.
Lista e gjatë e akuzave të ngritura nga prokuroria përfshin atë të trafikimit të lëndëve narkotike, vrasjes, zhvatjes, fajdeve, shpërdorim detyre dhe zbulim i sekreteve shtetërore.
Bosi i familjes, 67-vjeçari Luigi Mancuso, i njohur edhe me nofkën “Daja”, dhe ish-senatori italian Giancarlo Pittelli, i akuzuar nga prokurorët si bashkëpunëtor i tij, do të dalin para gjykatës më vonë.
Prokurori kryesor i këtij procesi gjigant është Nicola Gratteri, një prej zyrtarëve më të respektuar në Itali nga radhët e organit të akuzës. Ai lufton prej dekadash grupet kriminale dhe prej më shumë se 30 vitesh jeton i shoqëruar me mbrojtje speciale nga policia italiane.
Gratteri e konsideron ‘Ndragheta-n si një organizatë asfiksuese, “që u merr frymën dhe rrahjet e zemrës njerëzve”. Të shtunën ai u shfaq i lumtur para gazetarëve duke thënë se gjërat po shkonin mirë.
'Ndrangheta është një organizatë e përfshirë në disa aktivitete të paligjshme, por kryesore për të është trafiku i kokainës, dhe besohet se kontrollon 80% të sasisë së tregtuar në Europë. (A2 Televizion)