
Afati i Fundit për të caktuar tavanin e borxhit të Shteteve të Bashkuara po skadon. “Presioni po rritet dhe intensifikohet”, tha John Thune, senator republikan.
Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen, u tha ligjvënësve se Amerika mund të falimentojë për shkak të pamundësisë për të paguar këstin e borxhit duke nisur nga 1 qershori.
“Ne paguajmë faturat tona dhe duhet të vazhdojmë ta bëjmë atë pa mbetur peng i disa republikanëve të Trump në Kongres”, u shpreh Biden.
Lideri i mazhorancës në Senat, Chuck Schumer, ai i minorancës, Mitch McConnell, lideri i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries dhe kryetari Kevin McCarthy, janë ftuar në Shtëpinë e Bardhë më 9 maj për të folur për krizën.
“Ne duhet ta ndryshojmë tavanin. 31 trilionë dollarë është një shifër tepër delikate për amerikanët që ta durojnë për shumë kohë”, u shpreh Nancy Mace, ligjvënëse republikane.
Shtëpia e Bardhë njofton se Biden do të kërkojë rritjen e tavanit të borxhit pa shkurtime në shpenzime. Projektligji “Kufizo dhe Kurse” i republikanëve që u miratua në Dhomën e Përfaqësuesve javën e kaluar, kërkon rritjen e kufirit për borxhin publik, por shkurton buxhetin.
“Nuk është kjo mënyra për t’i bërë gjërat duke mbajtur peng të gjithë ekonominë për agjendat tuaja politike. Është fëminore dhe e papërgjegjshme”, tha Chris Murphy, senator demokrat.
Senatori demokrat, Joe Manchin, tha se shpreson që ftesa e Shtëpisë së Bardhë është e sinqertë dhe se presidenti Biden do të tregojë lidership të vërtetë dhe të lërë politikën anash duke vendosur mirëqenien e kombit në radhë të parë. (A2 Televizion)