
Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës testoi një raketë me rreze të gjatë dhe me aftësi bërthamore. Lëshimi i saj u bë nga baza ajrore Vandenberg në Kaliforni duke udhëtuar mbi 6700 kilometra deri në goditjen e një shënjestre në Ishujt Marshall.
Testimi i raketës u bë “për të demonstruar gatishmërinë e fuqisë bërthamore të SHBA-ve dhe për të ofruar besim në efektshmërinë dhe saktësinë e forcës ndaluese bërthamore të vendit”, thuhet në një deklaratë të forcave ajrore amerikane.
Më tej nënvizohet se ky ishte një test rutinë për të garantuar aleatët në ndalimin e kërcënimeve të shekullit të 21. Ushtria amerikane bën të ditur se ky zhvillim nuk vjen si pasojë e ngjarjeve të fundit globale. Testi raketor duhej të zhvillohej më herët, por u shty nga Shtetet e Bashkuara nga shqetësimet se Kina mund të reagonte ashpër gjatë vizitës së zyrtares së lartë të Kongresit, Nancy Pelosi, në Tajvan. (A2 Televizion)