
Të tjera shpërthime, tronditën këtë të martë Krimenë e aneksuar nga rusët. Pamjet tregojnë , atë që sipas mediave lokale është një depo armësh në fshatin e Maiskoye, të përfshirë nga tymi e flakët.
Ministria e Mbrojtjes në Rusi tha se po punon për të zbardhur shkaqet, ndërsa deklaroi se nuk ka viktima apo të plagosur rëndë. Agjencia Ruse e Lajmeve TASS, e cila citon autoritetet lokale raporton se banorët e zonës janë evakuuar.
Ky është shpërthimi i dytë brenda pak javësh që godet gadishullin e pushtuar nga rusët, e pavarësisht se e ka mohuar zyrtarisht përfshirjen, Ukraina besohet se qëndron pas shpërthimit të parë, në një bazë ushtarake të Moskës.
Sakaq, vëmendja më e madhe vijon të përqendrohet rreth centralit të Zaporizhias në Ukrainë, ndërsa Moska dhe Kievi vazhdojnë të akuzojnë njëra tjetrën për bombardimet pranë zonës. Në videomesazhin e fundit, Presidenti Volodymyr Zelensky paralajmëroi se bota do të humbasë ndaj terrorizmit dhe do t’i dorëzohet shantazhit bërthamor, nëse nuk vepron për të parandaluar një aksident në centralin më të madh të Europës. “Rusia nuk i ka ndalur veprimet shantazhuese në centralin bërthamor dhe rreth tij. Bombardimet provokuese vijojnë… Dhe nëse bota nuk vepron tani me forcë dhe vendosmëri për të mbrojtur centralin bërthamor, do të thotë se ajo po humbet ndaj terrorizmit dhe shantazhit bërthamor”, tha Zelensky.
Organizata e Kombeve të Bashkuara tha se ka kapacitetin logjistik dhe të sigurisë për të ofruar asistencë për një vizitë të inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore në centralin e Zaporizhias. Por Moska ka vendosur kushte, duke thënë se një mision I mundshëm nuk mund të kalojë përmes Kievit pasi do ishte e rrezikshme.
Ndërkohë, Rusia pretendon se ka vrarë më shumë se 100 mercenarë të huaj pranë qytetit të Kharkiv në Ukrainë dhe se ka plagosur më shumë se 50 të tillë nga Polonia dhe Gjermania. Një gjykatë e separatistëve të mbështetur nga Moska në rajonin e Donetskut akuzoi si mercenarë 5 shtetas tëhuaj të kapur duke luftuar me trupat ukrainase. 3 prej tyre, një britanik, një kroat dhe një suedez mund të dënohen më vdekje, ndërsa dy britanikë të tjerrë rrezikojnë te marrin dënim maksimal, por jo ekzekutimin. (A2 Televizion)