Shehu: Piku i pandemisë në Shqipëri ishte në shkurt, kurba është e çorientuar

Nga A2 CNN
6 Maj 2020, 12:09 | Aktualitet
Shehu: Piku i pandemisë në Shqipëri ishte në shkurt, kurba

“Kurba manifeston terrenin, sa ti ke të dhëna objektive nga terreni, por të dhënat objektive dalin vetëm me metoda objektive që janë testimet. Kurba jonë është një kurbë e çuditshme, një herë zbret, dy herë ngjitet, është e çorientuar. Kjo nuk të lejon që të bësh politika për të ardhmen”.

Kështu u shpreh në A2 Tritan Shehu, ish-ministër Shëndetësie, teksa komentoi kurbën e pandemisë në Shqipëri. Ai theksoi se kërkohen më shumë testime për të kuptuar situatën ku ndodhemi.

“Që të ndërtohet një kurbë kërkon një numër të caktuar testimesh. Shqipëria është vendi i fundit në Evropë për testime, me një diferencë të madhe me vendet e tjera. Po ashtu, është vendi i vetëm që nuk ka testime imunologjike, apo edhe këto kërkon t’i bëjë vetëm në një laborator, duke i mbajtur të mbyllura dhe pa teste kontrolli, pa mundësi për popullsinë të marrë pjesë në këtë proces të domosdoshëm. Në një kohë ne i kemi të gjitha kapacitetet laboratorike në Shqipëri, ku për testimet imunologjike kemi mundësi t'i bëjmë në të gjithë laboratorët e vendit. Kjo do ta mundësonte që qytetarët të dinë ku janë dhe mbi këtë të ndërtohen strategji”.

Shehu theksoi se piku i pandemisë në vendin tonë ka qenë në muajin shkurt, edhe pse rasti i parë i konfirmuar ishte në fillim të marsit.

“Të dhënat janë që epidemia ka filluar në mes të muajit janar, duke arritur pikun në muajin shkurt, ku ne patëm një numër shumë të madh të sëmurësh me simptoma të afërta, apo të njëjta, me ato të Covid-19, ku ne patëm një numër të madh vdekjesh të pajustifikuara nga virozat e zakonshme. Unë di edhe emrat e personave që kanë ndërruar jetë gjatë asaj periudhe, pasi lidhen me çështje të reanimacionit". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos