Kryeministri Edi Rama ka bërë një postim në rrjetet sociale në lidhje me çështjen e Teatrit Kombëtar. Ai kujton nga kantieri i teatrit të Operas dhe Baletit se kjo betejë për Teatrin Kombëtar nisi aty dhe se shumë energji dhe vite u harxhuan pa bërë asgjë.
“M'u kujtua që 21 vjet më parë, tamam në të njëjtin vend mbi skenë, nisi beteja publike për reformimin e sistemit teatror shqiptar dhe rindërtimin me themel të skenës kombëtare e të vetë Teatrit Kombëtar.
Sa shumë energji të harxhuara e vite të humbura kot për komunitetit tonë teatror, që qysh atëherë kaloi edhe 20 vjet të tjera në kushtet e një mizerje pa të dytë në Europë dhe sa keq për publikun artdashës, që nuk pati dot kurrë mundësinë të shijonte artet skenike në kushte dinjitoze as në TKOB e as në Teatrin Kombëtar”, shkruan Rama.
Më tej kreu i qeverisë deklaroi se ndërtesa e shembur është një monument imagjinar dhe se ata që e mbrojnë atë ia fusin kot.
“Sa keq që tërë ato yje të skenës sonë kombëtare u shuan, pa punuar dot një ditë në një skenë normale dhe një gjeneratë e tërë u moshua, pa shijuar dot kurrë një shfaqje në kushte normale! Skenat e reja kombëtare, kjo e Operas e Baletit dhe ajo e Teatrit Kombëtar, përveç të tjerash do t'i ndihmojnë edhe disa të rinj që gabimisht u janë "bashkuar" ca politikanëve e partive si tallashi e teneqja e ngrehinës së shembur, të kuptojnë nesër pse sot ia fusin krejt kot, kur revoltohen për monumentin imagjinar që mbajti peng artet skenike, komunitetin teatror dhe debatin për Teatrin e Ri Kombëtar, tash 21 vjet”, shkruan Rama. (A2 Televizion)