
Një ditë pas qeverisë, PD i prezantoi qytetarëve vizionin e saj për sistemin shëndetësor në vend.
Kryeopozitari Lulzim Basha premtoi rritje të pagave për mjeket dhe infermierët si mekanizimi që frenon largimin e tyre jashtë vendit.
Shtimi i ilaçeve të rimbursuara, rritja e buxhetit për shëndetësinë dhe investimi për dyfishimin e studentëve të diplomuar në shëndetësi, ishin gjithashtu premtime të Bashës.
Opozita ka denoncuar prej kohësh kontratat koncesionare për shëndetësinë. Atë të “chek up”-it e ka paditur në SPAK, por garanton se nuk do të presë drejtësinë dhe do të veprojë me të ardhur në pushtet.
Kryeopozitari sulmoi ashpër takimin e qeverisë me mjeket e diasporës një ditë më parë. Në tryezën e thirru nga fondacioni gjerman “Konrad Adenauer” për sfidat e shëndetësisë, mori pjesë edhe ish-kryeministri Sali Berisha, mjek në profesion, që nuk kurseu akuzat nda kryeministrit Rama.
“Shqipëria është një ndër vendet me më pak mjekë për frymë. Një mjek për 1000 banorë, edhe pse ka ikje masive të shqiptarëve. Rama deklaroi se Shqipëria nuk ka banda, por kur je kryebandit, bandat të duken lule. Dyshja Rama-Manastirliu u vjedhin ilaçet shqiptarëve dhe po shkatërrojnë sistemin e shëndetësisë. Ka zero investime. Reklamojnë një spital pothuajse të përfunduar në vitin 2012”, theksoi Berisha. Ikja e mjekëve, sipas opozitës, po kthehet në një cenim të sigurisë kombëtar në vend. (A2 Televizion)