Shfaqja e testit të maturës, Ministria: Do kallëzojmë shtetasin që e publikoi si dhe ata që e kanë fotografuar

Nga A2 CNN
7 Qershor 2021, 18:20 | Aktualitet
Shfaqja e testit të maturës, Ministria: Do kallëzojmë

Ministria e Arsimit , Sportit dhe Rinisë ka reaguar pas publikimit të pyetjeve të provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë të Maturës Shtetërore 2021.

Ministria njofton do të kallëzojë penalisht personin, i cili ka publikuar në rrjetet sociale gjatë kohës kur provimi ishte ende duke u zhvilluar, si dhe të gjithë pjesëmarrësit në procesin e Maturës Shtetërore të cilët kanë shkelur rregullat duke fotografuar dhe dërguar jashtë qendrave të provimit këtë test, gjatë kohës që ishte duke u zhvilluar. 

Po ashtu, Ministria bën me dije se publikimi i testit nuk ka ndikuar në mbarëvajtjen e këtij provimi, teksa vlen të nënvizohet se i gjithë procesi është zhvilluar në zbatim të Rregullores së Maturës Shtetërore.

“Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) me shumë shqetësim e ka ndjekur rastin e sotëm të publikimit të pyetjeve pas fillimit të provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë të Maturës Shtetërore 2021.

Vëmë në dijeni opinionin publik se ky rast, apo çdo rast tjetër i ngjashëm me të, që orkestrohet qëllimisht nga individë të ngarkuar politikisht do të çohen para drejtësisë në mënyrë që të mos cënohet procesi i Maturës Shtetërore. Ndjejmë keqardhje që ata gjejnë mënyrën më të pahijshme për të injektuar panik të panevojshëm tek maturantët dhe tek prindërit e tyre, ndërsa duhet të ishin bashkëpunues për të mirën e arsimit.

MASR do të kallëzojë penalisht shtetasin, i cili ka publikuar testin e Maturës Shtetërore të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë të datës 7.6.2021 në rrjetet sociale gjatë kohës kur provimi ishte ende duke u zhvilluar, si dhe të gjithë pjesëmarrësit në procesin e Maturës Shtetërore të cilët kanë shkelur rregullat duke fotografuar dhe dërguar jashtë qendrave të provimit këtë test, gjatë kohës që ishte duke u zhvilluar. 

Publikimi i testit në rrjete sociale pasi provimi kishte filluar NUK ka ndikuar në mbarëvajtjen e këtij provimi, teksa vlen të nënvizohet se i gjithë procesi është zhvilluar në zbatim të Rregullores së Maturës Shtetërore.

MASR dhe institucionet e saj të varësisë sigurojnë maturantët dhe prindërit e tyre se provimet janë zhvilluar dhe do të zhvillohen me të njëjtin përkushtim e vullnet për të realizuar një administrim të suksesshëm të këtij procesi.”, njofton Ministria. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/06/07/denoncimi-i-pd-del-testi-i-gjuhes-shqipe-dhe-letersise-para-provimit/
https://a2news.com/2021/06/07/dalja-e-tezes-se-gjuhes-shqipe-dhe-letersise-reagojne-autoritetet-arsimore/

A2 CNN Livestream

Latest Videos