Shi raketash mbi Ukrainë, Rusia shënjestron godina banimi, të paktën 8 viktima

Nga A2 CNN
28 Prill 2023, 07:15 | Bota
Shi raketash mbi Ukrainë, Rusia shënjestron godina banimi, të

Janë zgjuar të tmerruar ukrainasit, këtë të premte, ndërsa një shi raketash ra mbi një sërë qytetesh përfshirë edhe Kievin. Të paktën 8 persona mbetën të vrarë, mes të cilëve një grua dhe vajza e saj 3-vjeçare në qytetin e Dnipros.

6 vetë humbën jetën dhe 9 të tjerë u dërguan në spital në qytetin qendror të Umanit, pasi raketat shënjestruan godina banimi. “Shoqja e klasës së vajzës sime jetonte në katin e nëntë të pallatit të shkatërruar. Nuk e di. I lutemi Zotit që të jetë gjallë. Është një tragjedi e madhe”, tha një banore e zonës.

Shpërthime u raportuan edhe në qytetet e Kremenchuk dhe Poltav. Kreu i administratës ushtarake në Kiev tha se kjo ishte hera e parë në 51 ditë që kryeqyteti goditej nga një sulm raketor. Autoritetet bënë të ditur se 21 nga 23 raketa dhe dy dronë sulmi u rrëzuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore ukrainase.

Një video e postuar në telegram nga shërbimi shtetëror kufitar tregoi një bllok apartamentesh të dëmtuara rëndë në Uman. Në një reagim pas valës së sulmeve, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se e keqja ruse mund të ndalohej vetëm me armë dhe sanksione më të forta. “E keqja ruse mund të ndalohet me armë dhe mbrojtësit tanë po e bëjnë. Dhe mund të ndalohet me sanksionet. Sanksionet globale duhet të fuqizohen. Një tjetër natë terrori nga Rusia. Raketa dhe dronë ranë rreth Ukrainës. Dhjetë godina banimi u dëmtuan në Uman”.

Sulmet vijnë ndërsa forcat ukrainase besohet se po përgatiten për një kundërofensive madhore me pajisje të reja ushtarake, që i janë siguruar nga aleatët perëndimorë, përfshirë edhe tanket. Rusia nuk ka arritur dot të shënojë përparim të rëndësishëm gjatë ofensivës dimërore, përfshirë edhe në betejën 10-mujore për kontrollin e qytetit të rëndësishëm strategjik të Bakhmut.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos